Arsenal, 50 milionë euro për Ikardin

20/07/2016 00:00

Ndërsa Mauro Ikardi ndodhet në SHBA me Interin, bashkëshortja e tij Vanda Nara udhëtoi drejt Londrës për të diskutuar të ardhme e argjentinasit me trajnerin e Arsenalit, Arsen Venger duke bërë që të krijohet një kaos i madh përreth futbollistit.

Kontrata e Icardit me Interin është e shoqëruar me një pagë prej 3.8 milionë eurosh, shifër kjo që konsiderohet e ulët nga bashkëshortja dhe agjentja e futbollistit, kështu që pretendohet një rritje e saj.

Por tek Interi janë të vendosur që të mos e bëjnë një lëshim të tillë për Ikardin që duket se tashmë sytë i ka hedhur nga Anglia dhe më konkretisht te Arsenali.

Klubi londinez, që prej kohësh e ka shfaqur interesin për Ikardin, duket se është gati të ofrojë 50 milionë euro për kartonin e tij, ndërkohë që për vetë futbollistin do të përgatitet një kontratë me një pagë prej 6 milionë eurosh.

Kjo ka shtyrë Vanda Narën që të udhëtojë drejt Londrës për të nisur këto tratativa me idenë që më pas t’i diskutojë edhe me Interin. Mbetet për të parë se çfarë do të ndodhë dhe deri në 31 gusht ka ende kohë.

Top Channel