Mbollën 685 rrënjë kanabis në territorin grek, arrestohen dy shqiptarë

20/07/2016 00:00

Dy shtetas shqiptarë, 31 dhe 37 vjeç, janë arrestuar në vendin e quajtur Delvinaki, pak kilometra larg kufirit shqiptar, nën akuzën e kultivimit të lëndëve narkotike.

Sipas policisë greke, dy shtetasit shqiptarë u kapën në flagrancë duke ruajtur një plantacion me 685 rrënjë kanabis sativa.

Autoritetet greke thonë se lënda narkotike ishte mbjellë në një përrua dhe zbulimi i saj ishte tepër i vështirë. Dy shtetasit shqiptarë deklaruan se e kishin mbjellë dhe kujdeseshin për bimët narkotike, lartësia e të cilave i kalonte 1.5 metrat.

Policia greke thotë se në zonën kufitare midis dy vendeve dhe në pyjet e dendura të kufirit dyshohet se janë mbjellë sasi të mëdha bimësh narkotike.

Në zonë u gjetën edhe mjetet që ata përdornin për punimin e tokës dhe vaditjen e saj. Gjithashtu, polica greke gjeti edhe një sasi plehu kimik, si dhe fishekë çifteje e armë të ftohta.

Trafikantët shfrytëzojnë mungesën e forcave policore në zonë, por edhe terrenin e thyer të kufirit, për kultivimin e lëndëve narkotike. Vetëm gjatë muajit korrik, në zonën e Epirit janë zbuluar dhe asgjësuar disa plantacione, në të cilat janë gjetur mijëra rrënjë kanabis.

Dy të arrestuarit do të dërgohen në Gjykatën e Janinës për masë sigurie.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel