“Europol” paralajmëron Europën për sulme terroriste

20/07/2016 00:00

Numri i personave të vrarë nga ekstremistët anembanë Europës ka pësuar një rritje drastike gjatë vitit 2015, krahasuar me vitin paraardhës, ndërsa agjencia policore e Bashkimit Europian paralajmëron se grupi xhihadist i “Shtetit Islamik” mund të “ndërmarrë të tjera operacione jashtë vendit”, teksa aleanca ushtarake perëndimore shton presionin në Siri dhe Irak.

“Europol”-i paraqiti këtë të mërkurë tablonë shqetësuese të një BE-je të kërcënuar nga sulmet e ekstremistëve islamikë, të cilat pritet të ndodhin në çdo moment së shpejti. Agjencia paralajmëron se azilkërkuesit sirianë mund të bëhen objektiv i sulmeve dhe shumë shpejt të radikalizohen nga rekrutuesit e ISIS, teksa një gjeneratë e re luftëtarësh po rritet në territoret e kontrolluara prej ISIS-it në Siri dhe Irak.

Raporti i fundit paralajmëron gjithashtu se ISIS duket se favorizon sulmet ndaj të ashtuquajturave “objektiva të butë”, sepse këto “shkaktojnë shkaktojnë më shumë frikë ndaj publikut në përgjithësi”.

Sipas raportit, 151 persona humbën jetën në vitin 2015 dhe mbi 360 të tjerë u plagosën si pasojë e sulmeve terroriste në BE. Ishin plot 6 shtete anëtare të BE-së që u përballën me 211 komplote të dështuara apo të realizuara sulmesh terroriste. Në total janë arrestuar 1.077 persona në vendet e BE-së bazuar mbi akuzat e lidhura me terrorizmin, prej të cilëve 424 vetëm në Francë. 94 për qind e atyre që janë nxjerrë para gjykatave për terrorizëm xhihadist janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me burgim.

Rob Ëainëright, drejtor i “Europol”-it thotë se “në vitin 2015, Bashkimi Europian përjetoi një numër masiv të vdekjeve të shkaktuara nga sulmet terroriste. Në këtë kontekst, ‘Europoli’ vuri në përdorim aftësitë e saj unike për t’u fokusuar në mbështetjen e hetimeve operacionale për të parandaluar sulmet terroriste dhe për të identifikuar dhe penguar terroristët. Bashkëpunimi në rritje rezultoi në një tablo më të pasur strategjike të burimeve nga shërbimet sekrete, duke forcuar aftësinë e ‘Europolit’ për të këshilluar udhëheqësit politikë dhe ligjvënësit, sikurse edhe autoritetet kombëtare ligjzbatuese në përcaktimin e niveleve të kërcënimeve”.

Top Channel