Kosova, Vuçiç: Do të jetojmë pranë shqiptarëve edhe nëse jo bashkë

20/07/2016 00:00

Me shqiptarët e Kosovës do të jetojmë gjatë 1.000 viteve të ardhshem dhe për këtë arsye duhet të bashkëpunojmë në dobi të të dyja palëve, të gjejmë kornizën më të mirë të mundshme politike dhe të mos i dëmtojmë interesat tona kombëtare. Kështu është shprehur këtë të mërkurë kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

“Ne duhet të gjejmë zgjidhje për disa çështje. Dhe, edhe pse e di që kjo gjë është jo e famshme në Serbi, ne duhet të kuptojmë se jetojmë, nëse jo me njëri-tjetrin, atëherë njëri pranë tjetrit. Dhe kështu do të jetojmë në 1.000 vitet e ardhshme”, citohet të ketë thënë Vuçiç gjatë bisedës me gazetarët, pas takimit me shefen e diplomacisë europiane, Federica Mogerini, sipas “Tanjug”.

“Ai që mendon se duhet të zhvillojmë luftëra dhe të hyjmë në konflikte, mendoj se nuk është shumë i mençur dhe nuk ia do të mirën vendit tonë”, ka thënë Vuçiç.

Ai ka shtuar se, së shpejti do të takohen ekipet e Beogradit dhe të Prishtinës, teksa ka paralajmëruar mundësinë e përfundimit të plotë të marrëveshjes për telekomunikacionin, që sipas tij do të jetë e mirë si për shqiptarët, edhe për serbët, për të cilët është me rëndësi që në Serbi të flasin me tarifa më të lira.

Sipas fjalëve të kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, çështja e formimit të Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë është çështja më e vështirë dhe thelbi i marrëveshjes së Brukselit, por pranon se edhe për shqiptarët nuk është lehtë që ta zbatojnë këtë marrëveshje në këtë moment.

“Është me rëndësi që ta shtyjmë përpara dhe të shohim sesi duam t’i zgjidhim çështjet strategjike”, citohet të ketë thënë më tej Vuçiç.

Vuçiç nuk ka dashur të komentojë deklaratën e Enver Hoxhajt, i cili ka thënë se në dialog do të futet edhe demarkacioni, por atë e ka quajtur deklaratë për nevoja të brendshme.

Top Channel