“Wikileaks”, Kosova përmendet në “e-mail”-et e partisë së Erdoganit

20/07/2016 00:00

“Wikileaks” ka filluar të publikojë “e-mail”-et në lidhje me partinë e Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. Në njërin prej tyre, që janë shkëmbyer mes anëtarëve të partisë “Adalet ve Kalkavan Partisi” (Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim) përmendet edhe Kosova.

Në fakt, anëtarët e saj tërheqin një paralele mes krizës së dikurshme të Gjeorgjisë dhe Kosovës. Me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Presidenti rus Vladimir Putin kishte pohuar se do të hakmerrej keq ndaj shteteve perëndimore, e kjo ka filluar me shtetin gjeorgjian.

“Për histori të gjatë nuk kemi nevojë. Të gjithëve na kujtohen lajmet e mira dhe të këqija për Kosovën, të cilat kanë bërë që të zemërojnë Rusinë dhe të fusë në kthetrat e veta Gjeorgjinë. Putin, me rastin e Pavarësisë së Kosovës kishte kërcënuar shtetet perëndimore se nuk do t’ua linte këtë veprim ‘pa iu hakmarrë’. Ndërsa Presidenti gjeorgjian, Mikhail Saakashvili kishte thënë me këtë rast se, Putin është zgjuar të luajë lojën e radhës. Rezultati: Perëndimi në këtë rast ishte në një vijë me Kinën, ndaj dhe Rusia mori një goditje të fuqishme dhe u largua prej këtij vendi. Faturën e dështimit në Gjeorgji, Putin ka filluar ta nxjerrë në gadishullin ukrainas të Krimesë”, shkruhet në një prej “e-mail”-eve të AKP-së.

Kujtojmë se një javë më parë një përpjekje e ushtrisë për grusht shteti dështoi në Turqi, gjë që ka bërë që Presidenti Recep Tayyip Erdogan të marrë një sulm ndaj organizatorëve të puçit, duke i arrestuar dhe burgosur.

Top Channel