Kosovë, Tahiri: Progres në konsolidimin e institucioneve në veri të vendit

20/07/2016 00:00

Ministrja kosovare për Dialogun, Edita Tahiri ka deklaruar këtë të mërkurë se është arritur progres në proceset për vendosjen dhe konsolidimin e institucioneve shtetërore në veri të vendit, në shumë fusha të rëndësishme, duke thënë se janë duke bërë përgatitje intensive për përmbushjen e këtij procesi.

Në një njoftim për media, bëhet e ditur se Tahiri ka potencuar se, si rezultat i marrëveshjeve të Brukselit, Qeveria e Kosovës do të vendosë sistemin unitar shtetëror të drejtësisë në veri të vendit, të munguar për shumë vite, po ashtu rreth 23 ministri dhe agjenci qendrore që kanë fushë veprimtarie lokale do të nisin punimet, sikurse edhe zyrat e Regjistrit Civil dhe zyrat e Gjendjes Civile do të fillojnë punën për të pajisur qytetarët me dokumentet e shtetësisë së Kosovës edhe në komunat veriore.

“Ministria për Dialog, Edita Tahiri ka vlerësuar se konsolidimi i institucioneve qendrore në veri të vendit të sfiduara që nga paslufta ka rëndësi vitale për shtetin e Kosovës sepse me këto procese po konsolidojmë dhe forcojmë sovranitetin shtetëror në këtë pjesë të vendit për të cilën Qeveria e Kosovës është e përkushtuar dhe e vendosur plotësisht. Ministrja për Dialog është duke e koordinuar procesin e realizimit të këtij procesi dhe përgatitjet po bëhen së bashku me gjithë institucionet kompetente si dhe dinamikat janë duke u zhvilluar në pajtim me planet për veprim, duke paralajmëruar se jemi në fazën finale dhe procesi po shkon drejt finalizimit”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, procesi i integrimit të personave nga procesi i shuarjes së të ashtuquajturës “Mbrojtje civile” ka përfunduar. Kontingjenti i fundit prej 50 personash kanë nënshkruar kontratat e punës me institucionet, që i kanë integruar ata gjatë këtij muaji në pajtim me ligjet e Kosovës, ashtu siç e përcakton marrëveshja e Brukselit.

Më herët, në janar të këtij viti janë integruar 328 persona, ndërsa në tetor të vitit të kaluar janë integruar 105 persona. Integrimi i tyre në sistemin e Kosovës, të cilët nënshkruan kontratat e punës me institucionet e Kosovës, është një zhvillim i rëndësishëm në kuadër të objektivave të Qeverisë së Kosovës për konsolidimin e sovranitetit dhe normalizimit të gjendjes në pjesën veriore të vendit dhe integrimin e serbëve të kësaj pjese në jetën publike dhe shoqërore.

“Në fushën e drejtësisë, sipas Marrëveshjes së Brukselit, do të vendoset një gjykatë themelore që do të veproj për shtatë komunat ashtu siç përcaktohet me Ligjin për gjykatat themelore të Republikës së Kosovës si dhe një zyrë prokurorie në bazë të ligjit përkatës, ndërkohë që procesi i rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe stafit administrativ është në fazën finale dhe po realizohet nga institucionet kompetente për fushën e drejtësisë në koordinim me Ministren e Dialogut. Vendosja e sistemit unitar të drejtësisë edhe në veri të vendit ka rëndësi strategjike për konsolidimin e sovranitetit shtetëror dhe të drejtësisë për gjithë qytetarët sepse një gjë e tillë ka munguar dhe Dialogu i Brukselit po tregohet një instrument i rëndësishëm që po ndihmon Kosovën dhe qytetarët e saj për forcimin e sovranitetit shtetëror në çdo cep të vendit, ku roli i BE-së, SHBA-ve, Gjermanisë është vendimtar, theksoi Tahiri”, thuhet më tej në njoftim.

Zyrat e Regjistrit Civil dhe ato të Gjendjes Civile në 4 komunat veriore, së shpejti do të fillojnë t’i pajisin qytetarët e këtyre komunave me dokumentet e shtetësisë, lejet e njoftimit dhe pasaportat e shtetit të Kosovës, pastaj me patenta për shoferët, certifikatat e lindjes, si dhe me të gjitha dokumentet e tjera të gjendjes civile.

Ministrja e Dialogut, së bashku me institucionet kompetente janë të angazhuara plotësisht në realizimin dhe vënien në funksion të këtyre institucioneve në dobi të qytetarëve, të cilët kanë rritur kërkesat për të marrë dokumentet shtetërore të Republikës së Kosovës, ka bërë me dije ministrja Tahiri.

Top Channel