Britania, e gatshme të heqë dorë nga presidenca e KE-së. May takohet me Merkel e Hollande

20/07/2016 00:00

Britania e Madhe pritet të heqë dorë nga presidenca 6-mujore e radhës në Këshillin Europian, që parashikohej ta kryesonte në pjesën e dytë të vitit 2017, për shkak të përgatitjeve të saj për t’u larguar nga Bashkimi Europian. Njoftimi i bërë nga “10 Downing Street” vjen edhe në prag të përgatitjeve të Theresa Mayt për t’u takuar me homologen gjermane, Angela Merkel, për herë të parë që pas emërimit të saj si kryeministre e Britanisë.

Dy përfaqësueset e Britanisë dhe Gjermanisë priten të kenë një darkë pune këtë të mërkurë, përpara se May të zhvillojë bisedime me Presidentin e Francës, Francois Hollande, ditën e enjte. May është shprehur se, ruajtja e lidhjeve të forta tregtare me Europën është diçka jetike për të siguruar “daljen me sukses” të Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja.

Përpara këtij takimi, kryeministrja May do të përballet edhe me pyetjet e para si kryetare e ekzekutivit britanik. Ajo pritet të ketë një debat të ashpër me udhëheqësin laburist, Jeremy Corbyn, në Dhomën e Përfaqësuesve vetëm pak pas mesditës, në atë që do të jetë edhe mbledhja e fundit e Parlamentit britanik përpara nisjes së pushimeve verore ditën e enjte.

May gjithsesi ka folur në telefon si me Kancelaren Merkel, ashtu dhe me Presidentin Hollande, por takimet e para “kokë më kokë” në dy ditët e ardhshme mes tyre shihen si tepër të rëndësishme në përcaktimin e tonit të bisedimeve për negociatat e gjata dhe të vështira mbi daljen e Britanisë nga BE-ja, një sfidë tepër e rëndësishme përpara.

Kryeministrja ka thënë se nuk pret të fillojë negociatat zyrtare përpara fundit të këtij viti, pasi do t’i duhet të zhvillojë konsulta me qeveritë e Skocisë, Uellsit dhe Irlandës së Veriut, sikurse edhe me biznesin, industrinë dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm mbi rrugën që duhet ndjekur.

E teksa udhëheqësit e Gjermanisë dhe të Francës janë shprehur se vota e britanikëve për largim duhet respektuar dhe se Britanisë duhet t’i jepet kohë për të formuluar strategjinë e negociatave, të dy ata do të përballen me zgjedhjet e përgjithshme në vendet e tyre respektive gjatë vitit të ardhshëm, ndërkohë që janë nën presion të brendshëm politik për të përmbushur një akord të vështirë.

Ata kanë sugjeruar se nuk mund të bëhen përjashtime për Britaninë në lidhje me kushtet e aksesit të vazhdueshëm në tregun e përbashkët të BE-së, nëse – ashtu siç ka këmbëngulur May, – Britania e distancon vetveten nga rregullat e lirisë së lëvizjes.

Përpara vizitës, “Downing Street” bëri të ditur se Theresa May do të nënvizojë rëndësinë e krijimit të marrëdhënieve tepër të forta personale me homologët e saj europianë dhe do të theksojë vlerat që janë vendosur në themel të marrëdhënieve ekonomike, tregtare dhe ato të sigurisë me dy vendet në fjalë, por edhe angazhimin e saj për të vijuar lidhjet e forta jashtë BE-së.

“Këto vizita do të jenë një mundësi për të krijuar një marrëdhënie të fortë pune, e që unë shpresoj të zhvillohet me të tjerë udhëheqës anembanë Bashkimit Europian në javët dhe muajt e ardhshëm”, tha ajo. “Nuk dua në nënvlerësoj sfidën e negociimit të daljes sonë nga BE-ja, por besoj me vendosmëri se të qenit në gjendje për të zhvilluar bisedime të sinqerta dhe të hapura mbi çështjet me të cilat përballemi, do të jetë një pjesë e rëndësishme e negociatave të suksesshme”.

Qeveria gjermane ka bërë të ditur se dy udhëheqësit do të diskutojnë gjithashtu edhe për krizën e refugjatëve në Europë, si dhe situatën politike në Turqi pas përpjekjes së dështuar për grusht shteti gjatë së premtes së kaluar. Merkel ka qenë një aleate e fuqishme e përpjekjes pa sukses të David Cameron për të rinegociuar anëtarësimin e Britanisë së Madhe, si pjesë e synimit të tij për të qëndruar në një “Europë të reformuar”, megjithëse mbështetja franceze për përpjekjet e ish-kryeministrit për të siguruar një status special për vendin ishullor në BE ishte tepër e vakët.

Hera e parë që Theresa May do të përballet me 27 udhëheqësit e tjerë të BE-së në të njëjtën kohë do të jetë në takimin e tetorit të Këshillit Europian, moment në të cilin strategjia e Britanisë dhe korniza e pritshme për bisedime besohet të jetë më e qartë.

Top Channel