Bruksel, Serbia hap dy kapituj të ri. Vuçiç: Kapitulli 35 për Kosovën, i vështirë

19/07/2016 00:00

Një ditë pasi shefi i diplomacisë kosovare Hoxhaj tha se brenda dy viteve Kosova parashikon përfundimin e demarkacionit me Serbinë, kryeministri serb Aleksandar Vuçiç deklaroi se kjo u bë vetëm për konsum të brenshëm politik në Prishtinë.

Nga Brukseli, ku të martën Serbia hapi dy kapituj të tjerë rreth bisedimeve për t’u bërë anëtarë e BE-së, Vuçiç pranoi se një kapitull tjetër me numrin 35, që flet për Kosovën, do të jetë çështje e vështirë.

Por, nënshkruesi i ujdisë me Isa Mustafën nga gushti i vitit të kaluar, thotë se marrëveshja e tij me kryeministrin kosovar nuk ka dështuar.

Shefi i Qeverisë në Beograd, nga kryeqendra europiane dhe në të gjitha takimet ka dhënë deklarata paqësore, duke refuzuar – siç tha, – të flasë fjalë të rënda për politikanët në Prishtinë, ndërsa paralajmëroi se së shpejti do t’i takojë për të biseduar rreth Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, përpilimi i statutit të të cilit ka ngecur.

Nga kjo paraqitje me krerët e Bashkimit Europian, Vuçiç paralajmëroi një takim të madh ekonomik në qytetin e Nishit, që do ta organizojë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Top Channel