Beteja për reformën, a do të votohet ditën e enjte?

19/07/2016 00:00

Analisti Mustafa Nano ishte i ftuar në edicionin qendror të lajmeve në Top Channel për të diskutuar në lidhje momentin kritik që ndodhet e gjitha politika shqiptare dhe që është deçiziv edhe për Shqipërinë.

Nano beson se reforma në drejtësi do të votohet ditën e enjte dhe bindjen e tij e mbështet në faktin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian janë angazhuar prej muajsh në të gjithë procesin e kësaj reforme.

Ai diskutoi edhe për ndëshkimin që paralajmëroi Ambasadori amerikan për ata që nuk votojnë reformën si dhe çfarë do të thotë për një politikan që të jetë në listën e zezë të SHBA-ve.

Ndërsa, paralajmërimin e Ambasadës së SHBA-ve për shtetasit e saj që të qëndrojnë larg tubimeve ditën e enjte, Nano e quan një paralajmërim rutinor pasi nuk beson të ndodhë ndonjë gjë e jashtëzakonshme.

Intervista e plotë:

Ilir Paço: Zoti Nano, a do kemi një miratim të reformës në drejtësi?

Mustafa Nano, analist: Mendoj se po. Shanset për miratimin e reformës janë shumë të mëdha dhe bindjen time e mbështes tek fakti që Shtetet e Bashkuara të Amerikes dhe Bashkimi Europian janë angazhuar, jo sot, por prej muajsh në të gjithë procesin e kësaj reforme që është me rëndësi të jashtëzakonshme për fatet e vendit, ata kanë marrë pjesë në hartimin e draftit, ata kanë inkurajuar palët të përshpejtojnë procesin, ata kanë inkurajuar palët të përafrojnë qëndrimet dhe një numër qëndrimesh janë përafruar gjatë gjithë kohës dhe ata janë sot të pranishëm në mënyrë më imponuese se kurrë, sepse se kemi parë Ambasadorin amerikan të flasë me tone të tilla, dhe ky është një ngushëllim i mirë për të gjithë ata që duan të jenë optimistë në lidhje me reformën. Përveç kësaj, besoj që LSI në fund do të votojë me “bon sens” dhe do të jenë një duzinë deputetësh brenda Partisë Demokratike që nuk do të bien dakord që partia e tyre dhe ata vetë të prishin marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sepse një udhëheqës apo disa udhëheqës të tyre janë kujtuar pikërisht sot për sovranitetin. Unë jam qytetar i këtij vendi në këto rrethana po deklaroj që atë pjesë të sovranitetit nacional që më përket mua si qytetar e delegoj tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tek Bashkimi Europian.

Ilir Paço: Nëse ky miratim nuk ndodh cilat do të ishin pasojat për vendin, nisur edhe nga kërcënimi i Ambasadorit LU për politikanët, çdo të ndodhte nëse ata hyjnë në listën e zezë dhe çdo të thotë kjo?

Mustafa Nano: Në fakt, Ambasadori Lu nuk ka bërë një specifikim të ndëshkimit. Lista e zezë është një gjë që hamendësohet nga shumë njerëz, ndoshta Ambasadori dhe SHBA-të kanë në mendje edhe ndonjë ndëshkim më të fortë, por nëse ata kanë në mendje ndëshkimin me listën e zezë besoj që lista e zezë asfikson një politikan, asfikson një parti, heq frymëmarrjen ndërkombëtare dhe kur e them këtë nënkuptoj për botën euro-atlantike .

Ilir Paço: Çfarë do të thotë paralajmërimi për shtetasit amerikanë që të kenë kujdes ditën e reformës?

Mustafa Nano E cilësoj si një paralajmërim rutinor, nuk ka asnjë arsye për ta bërë dramatike. Ne jetojmë në Shqipëri, ka 25 vjet që ndjekim ngjarjet me vëmendje dhe e dimë që sa herë që ka situata të ndezura politike ekziston rreziku për ndonjë përthyerje jo shumë të lezetshme. Në këtë kuptim Ambasadori amerikan është duke marrë një masë preventive. Ai nuk do të donte që nesër të ndodhej pas një fakti të pakëndshëm dhe të jepte llogari në Uashington. Ndoshta ambasadori amerikan ka në mendje edhe ndonjë bishë politike që po plagoset prej reformës edhe që mund të lëviz bishtin në momentin e fundit, por besoj që ne shqiptarët do të jemi të qetë.

Top Channel