Xhafaj: Çdo përpjekje për konsensusin. Moment dhe përgjegjësi historike

19/07/2016 00:00

Kjo e sotmja do të dëshironim të ishte mbledhja e fundit e komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi përpara seancës plenare të së enjtes, ka theksuar kreu i saj Fatmir Xhafaj në përfundim të punimeve të pasdites së kësaj të marte, por ai ka shtuar se nuk beson të jetë e fundit.

Kjo e sotmja ka qenë një mbledhje proceduriale për të përgatitur raportin që do t’i paraqitet seancës në respekt të rregullores, ka shpjeguar ai, sepse ishte edhe detyra numër një, që do t’i hapte rrugë respektimit të rendit të ditës së enjte, siç e bëri të ditur kryeparlamentari Meta, që do të ketë si pikë të parë projektligjin për ndryshimet kushtetuese.

“Kemi shqyrtuar edhe disa ndryshime pjesë e projektit të propozuar, duke hequr një pjesë të neneve që nga grupet politike parlamentare, në gjithë këtë diskurs politik të këtyre muajve janë konsideruar si dispozita jo të lidhura drejtpërdrejt me detyrën e mandatin e komisionit të posaçëm parlamentar, kryesisht kapitulli i parë, që kanë të bëjnë me BE-në dhe dispozita të tjera”, u shpreh Xhafaj.

Sigurisht që është reflektuar edhe formula hibride e propozuar nga ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Nuland.

“Natyrisht që kemi reflektuar edhe progresin e deritanishëm, formulën hibride, në draftin kushtetues për të qenë e përgatitur edhe kjo pjesë për shqyrtim dhe votim nga seanca plenare. Por një gjë është e qartë dhe e sigurtë, që negociatat vazhdojnë për të gjetur një zgjidhje lidhur me ‘Vetting’-un, me formulën që ka të bëjë me formimin e komisioneve që do ta realizojnë atë, me rolin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, si dhe me nenet që kanë të bëjnë me formimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Shpresojmë dhe besojmë se do të gjehet një gjuhë e përbashkët në këtë proces negociimi dhe rezultatet do të reflektohen në draftin kushtetues që do të votohet nga seanca”, vijoi më tej Xhafa.

Sa u përket përpjekjeve për zgjidhjen konsensuale…

“Vazhdojnë përpjekjet për t’u dhënë një zgjidhje edhe atyre pak çështjeve që ndajnë palët në këtë proces dhe shpresoj që opozita të reflektojë pozitivisht. Të kuptojë momentin historik dhe përgjegjësinë historike të këtij projekti kushtetues, e bashkërisht ta votojmë projektin në seancën plenare të së enjtes. Përpjekja është e gjithanshme”, tha Xhafaj.

Xhafaj ka qenë i pranishëm edhe në një takim informues mbi mbledhjen e komisionit, me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, i cili ka pasur një kontakt telefonik me Komisionerin Hahn. Europarlamentarit, ai i ka shprehur angazhimin për të gjetur një zgjidhje konsensuale ditën e enjte për votimin e projektit kushtetues, por i ka kërkuar gjithashtu Hahnit të bashkëbisedojë gjithashtu me kreun e Partisë Demokratike, në mënyrë që edhe ata të përfshihen aktivisht në orët në vijim për gjetjen e një zgjidhjeje.

Top Channel