Skandali i dopingut rus, IOC: Hetime dhe ndëshkime

19/07/2016 00:00

Rusia do të presë ende për të kuptuar nëse do të marrë pjesë ose jo në Lojërat Olimpike të Rios pas skandalit të dopingut sipas të cilit për 4 vite kishte një program dopingu e që gëzonte mbështetjen shtetërore.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) nëpërmjet një komunikate për shtyp ka bërë të ditur se do të presë për të parë zgjedhjet ligjore përpara se të vendosë për një pezullim kolektiv të të gjithë sportistëve të kualifikuar për olimpiadë.

Por në këtë komunikatë Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka deklaruar se po shihet mundësia që të zhvillohen kontrolle për të gjithë sportistët rusë që morën pjesë në Lojërat Olimpike dimërore në Soçi në vitin 2014.
 
Komunikata e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar vazhdon me vendimin për të mos mbështetur më asnjë aktivitet sportiv në Rusi, duke përfshirë Lojërat Europiane që ishin parashikuar të zhvilloheshin në qershor të vitit 2019.

Gjithashtu ka filluar verifikimi për zyrtarët rusë të përmendur në raportin e Dr. Ricard McLaren, të pezullohet ministri rus i Sporteve, Vitali Mutko nga Olimpiada e Rios, i kërkohet z.McLaren të vazhdojë zbulimin e këtij skandali duke inkurajuar çdo anëtarë të federatave ruse e zyrtarë që të ndihmojë në këtë proces.
 
Gjithsesi për një pezullim të të gjithë ekipit rus në Olimpiadë do të pritet interpretimi i rregullores nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ditën e enjte.

Top Channel