Do ta votojë reformën, Selami-Bashës: Prano se do të kesh pasoja

19/07/2016 00:00

Presioni amerikan fillon dhe jep rezultatet e para te Partia Demokratike, nga ku po dalin hapur zërat pro reformës në drejtësi dhe kundër qëndrimit që po mban udhëheqësia e partisë më të madhe në opozitë.

Eduart Selami deklaroi se do të votojë reformën në drejtësi sipas variantit të zonjës Nuland. Mirënjohje Amerikës – thotë Selami, – dhe i bën thirrje Bashës të pranojë konsensusin ose të përballet me pasojat.

Selami deklaron se Basha nuk do të ketë më as mbështetje në anëtarësinë e PD-së nëse nuk e voton.

“Dëshira ime si demokrat është që zoti Basha të pranojë konsensusin, të pranojë draftin nga zonja Nuland, një draft euroamerikan. Përndryshe kjo do të jetë me pasoja shumë të mëdha për vet zotin Basha. Nëse kjo nuk ndodh, është plotësisht e mundur që kjo reformë të kalojë në Parlament. Unë jam një prej tyre, deklaroj votën time pro reformës, është votë për Shqipërinë europiane, është votë kundër korrupsionit, është votë për të ardhmen e Shqipërisë. Mirënjohja e Amerikës ka votën time, dhe si unë janë mjaft demokratë, të cilët deri dje mbështetën Bashën, kurse pas plotësimit të këtyre kushteve nuk ka për të pasur më mbështetje. Ky është mendim që mbizotëron në anëtarësinë e Partisë Demokratike”, thotë Selami.

Selami nuk i përmendi emrat e deputetëve të tjerë demokratë që do ta votojnë reformën, por ai u shpreh i sigurtë për këtë, pasi edhe anëtarësia e Partisë Demokratike kërkon reformën.

Top Channel