Gjermani, publikohet nga ISIS video e autorit të sulmit në tren

19/07/2016 00:00

ISIS-i publikoi një video të regjistruar nga refugjati afgan, përpara se të ndërmerrte sulmin tronditës në një tren të Gjermanisë, ku adoleshenti i identifikuar prej grupit xhihadist si Muhammad Riyad thotë se do të godasë vendin që i hapi dyert, në shenjë hakmarrjeje ndaj sulmeve ajrore kundër Shtetit Islamik.

Mësohet se Riyad ishte zhvendosur në Gjermani përpara dy vitesh dhe nuk kishte veçse pak javë që jetonte me një familje birësuese në qytetin e Ochsenfurtit. Në dhomën e 17-vjeçarit, autoritetet gjetën një flamur të Shtetit Islamik, e sipas njërit prej dëshmitarëve në trenin e kthyer në skenë horrori, ai, gjatë goditjes së disa personave me thikë e sëpatë, kishte thirrur Allahu Akbar! (Allahu është i madh).

Agjensia e lajmeve “Amaq”, e lidhur me ISIS-in, njoftoi më herët se bëhej fjalë për një luftëtar të Shtetit Islamik.

Prej sulmit të ndodhur në Wurzburg u lënduan rëndë 3 pjesëtarë të një grupi nga Hong Kongu, ndërsa një i katërt ka plagë më të lehta. Udhëtarë të tjerë, 14,  janë në gjendje shoku. Nga sa pohoi ministri i Brendshëm bavarez, Joachim Herrmann, agresori u qëllua për vdekje në kohën kur po tentonte të largohej nga vendngjarja.

Të plagosurit besohet të jenë një burrë 62 vjeç, e shoqja e tij 58 vjeçe, vajza e tyre 27 dhe partneri i saj 31. Djali 17-vjeçar i çiftit nuk është lënduar. Babai i tij dhe i fejuari i vajzës duket se janë përpjekur të mbrojnë të tjerët nga tërbimi i afganit.

Ngjarja tronditëse erdhi vetëm pak ditë pas tmerrit të përjetuar nga banorë e të huaj në qytetin francez të Nicës, ku një 31-vjeçar tunizian vrau me kamion 84 vetë e plagosi dhjetëra të tjerë.

Top Channel