PD mirëpret deklaratën e Metës: Negociatat për 2 çështjet transparente

19/07/2016 00:00

Partia Demokratike ka vlerësuar propozimin e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta dhe ka shprehur gatishmërinë për t’u ulur menjëherë në tryezën e bisedimeve me negociatorët e mazhorancës dhe ekspertet e huaj për të konkluduar me zgjidhje dy çështjet e mbetura për reformën në drejtësi.

“Me qëllim që negociatat të jenë transparente dhe në sytë e mbarë shqiptarëve, PD mbështet propozimin që këto negociata të jenë hapura për median. Zgjidhja është afër dhe Partia Demokratike është gati të japë edhe njëherë kontributin e saj pozitiv për një draft kushtetues sipas propozimit hibrid dhe në përputhje të plotë me Komisionin e Venecias”, ka deklaruar PD.

Opozita vlerëson se, “shqiptarët nuk meritojnë provokime të ulëta dhe as lojëra politike me reformën në drejtësi”. “Ndaj ftojmë mazhorancen të ulemi së bashku dhe të negociojmë në kushte transparence totale para shqiptareve për t’u dhënë zgjidhjen që ata meritojnë”, ka shtuar PD në deklaratën për shtyp të shpërndarë pas asaj të kreut të Kuvendit.

Top Channel