Sulmi i refugjatit afgan në Gjermani, i frymëzuar nga ideologjia ekstremiste

19/07/2016 00:00

Edhe pse për momentin nuk mund të pohohet me siguri radikalizimi i tij, adoleshenti afgan, përgjegjës për episodin që tronditi mbrëmjen e djeshme opinionin publik gjerman duket të ketë qenë i frymëzuar nga ideologjia ekstremiste.

Në dhomën e 17-vjeçarit, autoritetet gjetën një flamur të Shtetit Islamik, e sipas njërit prej dëshmitarëve në trenin e kthyer në skenë horror, i riu gjatë goditjes së disa personave me thikë e sëpatë, ka thirrur “Allahu Akbar”! Agjencia e lajmeve Amaq, e lidhur me ISIS-in, pretendon se i riu ishte luftëtar i grupit xhihadist.

Nga sulmi i ndodhur në Wurzburg u lënduan rëndë tre pjesëtarë të një grupi nga Hong Kongu, ndërsa një i katërt ka plagë më të lehta. 14 udhëtarë të tjerë janë në gjendje shoku. Nga sa pohoi ministri i Brendshëm bavarez,  Joachim Herrmann agresori u qëllua për vdekje në kohën kur po tentonte të largohej nga vendngjarja.

Të plagosurit besohet të jenë një burrë 62 vjeç, e shoqja e tij 58 vjeçe, vajza e tyre 27 dhe partneri i saj 31. Djali 17-vjeçar i çiftit nuk është lënduar. Babai i tij dhe i fejuari i vajzës duket se janë përpjekur të mbrojnë të tjerët nga tërbimi i afganit.

Adoleshenti jetonte në qytetin fqinjë të Ochsenfurt dhe në Gjermani kishte hyrë si minoren i pashoqëruar nga prindërit. Për zyrtarët e sigurisë, është ende shpejt të thuhet nëse agresori ka qenë pjesëtar i ndonjë grupi islamik apo i kishte hyrë së fundi rrugës së vetë-radikalizimit.

Ngjarja tronditëse erdhi vetëm pak ditë pas tmerrit të përjetuar nga banorë e të huaj në qytetin francez të Nice-s, ku një 31-vjeçar tunizian vrau me kamion 84 vetë e plagosi dhjetëra të tjerë.

Top Channel