Belgjika e kërkon trajnerin me email

19/07/2016 00:00

Dështimi në europianin francez i kushtoi bankinën trajnerit Marc Wilmots, që një javë më parë dorëzoi komandën. Dhe rrjedhimisht “Djajtë e Kuq” janë në kërkim të një trajneri të ri. Federata belge nëpërmjet një komunikimi elektronik pret kërkesat për këtë pozicion.

Profili i kërkuar nga federata belge është e qartë në karakteristikat për trajnerin e ri: i cili duhet të ketë eksperiencë dhe të ketë arritur rezultate në arenën botërore; të jetë certifikuar për aftësitë që vërtetojnë nivelin e tij teknik dhe të jetë në gjendje që të rrisë nivelin e lojës së futbollistëve; të jetë certifikuar që ka punuar në nivele të larta të futbollit modern; të jetë një komunikues i mirë dhe të jetë i aftë të punojë në bashkëpunim me struktura komerciale, financiare dhe menaxhuese.

Mes emrave që korrenspondojnë më këto karakteristika është edhe ish-trajneri i Italisë, Marcello Lippi. Lajmi vjen nga e përditshmja belge, “Derniere Heure”, sipas së cilës, emri i trajnerit italian i është propozuar federatës belge.

Lippi është i lirë, pasi mbylli eksperiencë me kinezët e Guangzhou në muajin janar. I vetmi problem për trajnerin italian mund të jetë mosha, pasi aktualisht është 68 vjeç.

Top Channel