Franca përshkallëzon sulmet ndaj ISIS pas ngjarjes në Nice

19/07/2016 00:00

Franca iu përgjigj ngjarjes së Nice-s me përshkallëzimin e sulmeve ajrore ndaj shënjestrave të Shtetit Islamik mbrëmjen e djeshme. Ministri i Mbrojtjes Jean-Yves Le Drian i tha radios “FranceInfo” se goditja e militantëve nuk do të reshtë.

“Franca ndërmerr çdo ditë sulme në Lindjen e Mesme, në Irak e Siri, e natën që shkoi, ajo u ashpërsuan edhe më shumë. Ne goditëm shumë pranë Mosulit. Që kur jemi bërë pjesë e koalicioni anti-ISIS, nuk kemi reshtur së sulmuari DAESH-in për të reduktuar përmasat e tij njerëzore dhe ato territoriale, e mundësisht, për ta fshirë fare nga harta këtë organizatë të padurueshme terroriste”, tha Jean-Yves Le Drian, minister i Mbrojtjes në Francë.

Duke reaguar ndaj akuzave se nuk bëri sa duhet për shmangien e tragjedisë së Nice-s, qeveria franceze i kërkoi parlamentit zgjatjen e periudhës së masave të jashtëzakonshme, e cila i jep policisë fuqi shtesë për të bastisur banesa e për të vënë njerëzit menjëherë në arrest shtëpie pa pasur nevojë për mandat gjykate.

“Në këtë botë, problemi kryesor është të luftohet terrorizmi, e mund ta shohim fare qartë edhe nga ajo çfarë në Gjermani se kërcënimi i tij gjendet kudo. Ekziston gjithmonë rreziku i imitimit, ekziston rreziku i përsëritjes, ndaj ne duhet ta rrisim dyfish vigjilencën tonë. Gjendja e jashtëzakonshme na lejon të kemi në dorë masa ligjore shtesë me të cilat të mund t’i bëjmë ballë këtij rreziku”, tha Le Drian.

Gjendjen e jashtëzakonshme, Franca e vendosi pas sulmeve të nëntorit në Paris, që morën 130 jetë njerëzish. Drafti i diskutuar në parlament do t’i japë gjithashtu policisë e shërbimeve të inteligjencës të drejtat të verifikojnë kompjuterët e personave të dyshuar dhe bisedat e tyre telefonike.

Top Channel