Rama: ASHE në bllok “pro”. Basha donte të hiqte ndërkombëtarët nga zbatimi

19/07/2016 00:00

Edi Rama foli sërish për vijat e kuqe, kur shpjegoi përse negociatat nuk kishin sukses.

“I kemi dhënë konsensus për gjithçka të negociueshme. I kemi plotësuar opozitës kërkesën themelore për barazi të plotë në procesin e jetësimit të reformës. Nuk mund t’ia plotësonim dhe nuk mund t’ia plotësojmë dot kërkesën për t’u bashkuar në një front kundër Shteteve të Bashkuara dhe BE. Vija e tyre e kuqe është vija mbrojtëse për Shqipërinë dhe shqiptarët, e cila garanton suksesin e fshesës së hekurt mbi të korruptuarit në sistemin e drejtësisë”, deklaroi kryeministri Rama.

Megjithëse Ilir Meta po takohet më shpesh këto ditë me Lulzim Bashën, Edi Rama foli për herë të parë për vota të unifikuara të koalicionit të tij qeverisës për reformën në drejtësi.

 “‘Aleanca për Shqipërinë Europiane’ do të votojë në bllok për ta çuar faqebardhë vendin dhe popullin tonë në derën e negociatave për anëtarësim në BE. ‘Aleanca për Shqipërinë Europiane’ do të votojë në bllok, për të mbrojtur dritën e të ardhmes për gjeneratën tjetër”, vijoi shefi i qeverisë shqiptare.

Kryeministri u tregua i hapur për të negociuar deri të enjten, por pa hequr dorë nga plani me 94 vota, të cilat arrihen vetëm nëse votojnë deputetët e opozitës.

“Thirrja ime për ndërgjegjen e çdo deputeti opozitar nuk është as blerje dhe as dhunim i konsensusit, por detyra ime si Kryeministër, që nuk mund të mos lërë gur pa lëvizur nga muri shurdh i Partisë Demokratike, jo për hesapin aritmetik të qeverisë që unë drejtoj, por për llogarinë morale të vendit që unë qeveris”, u shpreh kryeministri shqiptar.

Edi Rrama i cilësoi si pjesë të kulturës diktatoriale deklaratat e opozitës se do të djegë mandatet, nëse ndonjë anëtar i saj voton një draft jokonsensual.

Top Channel