Kërcënimi funksionoi, Basha: Votojmë reformën në parim

19/07/2016 00:00

Basha dhe Meta u takuan sërish, këtë herë jashtë selisë së Kuvendit. Pas takimit kreu i PD shpjegoi se pse nuk u arrit marrëveshja pas 8 orë negociatash. Basha dha variantin e vet, në një përgjigje indirekte ndaj Donald Lu, por në vend të ambasadorit sulmoi Edi Ramën.

“U ra dakort dhe në kohën që kjo marrëveshje po shkruhej, u prishën. Kjo është një përpjekje ogurzezë për të shkatërruar konsensusin, për të mos pranuar dhe lejuar Partinë Demokratike për të bashkuar votat në një projekt konsensual”, tha ai.

Por pavarësisht retorikës, Basha garantoi se opozita i ka votat ta votojë reformën.

“Partia Demokratike i ka votat gati për të votuar të entjen më 21 korrik në parim draftin kushtetues dhe pas rakordimit për 7 ligjet, nen për nen dhe gjithë paketën. Dy çështjet, nëse nuk zgjidhen sot, i kam bërë thirrje kryetarit të Kuvendit që bashkarisht ta zgjidhim këtë në Bruksel”, u shpreh Basha.

Meta u tregua krejt ndryshe nga një ditë më parë ndaj Kryeministrit Rama, kur u duk se e kërcënoi me qeveri teknike.

“Ka vetëm një plan, ua kam thënë të gjithëve. Mos të mendojnë as plan B, as C dhe as LL. Plani është me konsensus sipas Venecias. Jemi shumë pranë marrëveshjes. Dua të falenderoj Ramën dhe Bashën sepse kanë qenë dhe janë mjaft konstruktivë, pavarësisht retorikave”, tha Meta.

Ndërsa plani B dhe C janë përfolur politikisht, përmendja e një plani me gërmën LL, gërma e parë e mbiemrit të kryeprokurorit Llalla ngjall pikëpyetje të mëdha. Vetëm pak ditë më parë një këshilltar i deputetit të LSI, Braho u shpall në kërkim nga Prokuroria pikërisht për një çështje korruptive në kupolën e drejtësisë, në Gjykatën e Lartë.

Meta shprehu sigurinë se reforma do votohet, por jo kohën se kur procesi përfundon.

“Ditën e entje, në orën 10:00 Kuvendi nis dhe nuk do të mbarojë derisa të miratohet kjo reformë me konsensus, sipas Venecias, siç i takon një vendi anëtar të NATO-s dhe kandidat për Bashkimin Europian”, siguroi ai.

Top Channel