WADA rëndon akuzat, shteti favorizoi dopingun në Rusi

19/07/2016 00:00

Rëndohen akuzat mbi sportin rus. Agjencia Botërorë Antidoping publikoi një raport tjetër ku theksohet se pas këtij skandali të dopingut të sportistëve rusë qëndron  vetë shteti.

“Dopingu në Rusi mbulohej dhe favorizohej nga qeveria dhe  jo vetëm përsa i përket atletikës”, lexohej në raportin e WADA-s që më pas nëpërmjet një letre i kërkoi Komitetit Olimpik Ndërkombëtar përjashtimin e Rusisë nga Lojërat Olimpike të Rio De Janeiros.

Letra e dërguar nga WADA në drejtim të IOC kishte 7 pika nëpërmjet të cilave shpjegohet situata që u vijua me dhënien e rekomandimit për përjashtimin e të gjithë sportistëve rusë nga Rio 2016.

Në të njëjtën kohë, në këtë letër kërkohej edhe mos dhënia e akreditimeve të drejtuesve të qeverisë ruse për në Lojërat Olimpike. Një tjetër kërkesë e WADA, ishte edhe ajo që federatat e ndryshme sportive ndërkombëtare të marrin masa kundër simotrave të tyre ruse.

Ndërkaq presidenti i Rusisë, Vladimir Putin deklaroi se të gjithë zyrtarët që janë përmendur në raportin e WADA-s do të pezullohen nga detyrat e tyre deri në përfundim të hetimeve.

Sipas raportit të WADA, në Lojërat Olimpike Dimërore të Sochit, laboratori antidoping i Moskës i kishte mbuluar sportistët rusë që kishin rezultuar pozitivë në testet e kryera, por ky sistem nisi që në Lojërat e Vankuverit.

Raporti konfirmoi denoncimet e bëra nga ish drejtori i këtij laboratori, Grigori Rodchenkov i arratisur në SHBA pas vdekjes së mistershme të dy kolegëve të tij.

WADA deklaroi se ka prova që tregojnë për mënyrën sesi mbuloheshin testet pozitive të sportistëve rusë. E nisur që në 2010, dopingu përfshiu të gjitha disiplinat sportive në vend që pati efektin edhe në Londër 2012, Botërorin e Atletikës në Moskë në 2013, Sochi 2014 dhe botërorin e Notit në Kazan në 2015.

Por jo vetëm kaq, sipas WADA-s, zëvendësministri rus i sporteve, juri Nagornik informohej për gjithçka ndodhte në Sochi 2014 duke shtuar se në dijeni mund të ishte edhe vetë ministri.

Top Channel