Pogba te Man.United, përfiton 20% të vlerës së shitjes

19/07/2016 00:00

Vetëm përpara pak ditësh Bepe Marota deklaroi se nuk ka pasur bisedime me Manchester United për kthimin e Pogba në “Old Trafford”, por duket se situata është krejtësisht ndryshe.

Nga sa raportohet në median italiane, kjo tratativë me kalimin e kohës po merr akoma më shumë formë duke qenë se drejtuesit e djajve të kuq kanë ofruar 125 milionë euro për kartonin e mesfushorit francez.

Shifra që Manchester United do të investojë për futbollistin francez në total arrin në 185 milionë Euro.

Futbollistit do t’i ofrohet një kontratë 5-vjeçare me pagë prej 12 milionë Euro në sezon, ndërkohë që për Juventusin është pikërisht shifra prej 125 milionësh.

Por në arkat e klubit torinez nuk do të derdhet e gjithë kjo shumë dhe kjo për shkak të një klauzole sekrete në kontratën mes Pogba dhe skuadrës kampione të Italisë.

Sipas kësaj klauzole, Pogba përfiton 20% të vlerës së shitjes së tij që në këtë rast është 25 milionë Euro. Tashmë nuk mbetet gjë tjetër veçse të pritet sesi do të përfundojë kjo histori, por ajo që është e sigurt është se Pogba dhe agjenti i tij Mino Raiola do të pasurojnë akoma më shumë llogaritë e tyre bankare.

Top Channel