Erdogan: Dënim me vdekje. Ndëshkimin e puçistëve, e kërkon populli

19/07/2016 00:00

As deklaratat e prera të liderëve europianë e as paralajmërimet e Shteteve të Bashkuara që të mos e teprojë me masat e marra pas përpjekjes për grusht shteti nuk e kanë frenuar Rexhep Tajip Erdoganin nga qëllimi i tij.

Presidenti turk deklaroi këtë mëngjes se është gati ta rivendosë dënimin me vdekje, nëse populli, mbështetjen e të cilit u pa qartë që e kishte, e dëshiron një gjë të tillë. Këto komente, Erdogani i bëri ndërsa i drejtohej turmës së simpatizantëve të mbledhur përpara rezidencës së tij në Stamboll me kërkesën për rikthimin e dënimit kapital.

Turqia është një shtet demokratik i drejtuar nga sundimi i ligjit, ishin fjalët e tij. Unë jam i gatshëm ta vendos sërish këtë dënim nëse populli e kërkon dhe parlamenti miraton legjislacionin.

“Nuk mund të bëhet veshi shurdh përpara kërkesave të popullit. A mos vallë Amerika vetë nuk e ka dënimin me vdekje. Apo Rusia? Apo Kina? Apo shtete të tjera anembanë botës? Të vetmet që nuk e kanë dënimin kapital janë vendet e Bashkimit Europian”, tha Erdogan.

Turqia e hoqi në 2004-ën dënimin me vdekje në vazhdën e përpjekjeve të saj për t’u bërë pjesë e BE-së.

Një ditë më parë, kreu i shtetit i përshkroi si dashakeqësi pretendimet se po e përdor puçin e dështuar ushtarak për të shtypur kundërshtarët e tij politikë. Nëse Tajip Erdogani do të ishte një figurë mbytëse, tha duke iu referuar vetes, nuk do të kishte fituar 52% te votave ne zgjedhjet presidenciale.

Të hënën, njeri prej të akuzuarve si organizator të grushtit, komandanti i Forcave Ajrore gjeneral Akin Ozturk doli përpara gjykatës, ku ndryshe nga sa raportoi agjencia e lajmeve “Anadolli”, mohoi çdo përfshirje në rebelim.

Top Channel