Basha: Rama devijoi nga takimi trepalësh, nuk i ka 94 vota

18/07/2016 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dalë mbrëmjen e sotme me një deklaratë lidhur me reformën në drejtësi, koha për votimin e të cilës sa vjen e ngushtohet.

Në reagimin e tij, Basha e ka cilësuar si hipokrit fjalimin e pasdites të kryeministrit Rama, i cili sipas tij binte ndesh me atë që ishte arritur në takimin me kreun e Kuvendit.

“Predikimi i gjatë duke fryrë tullumbacen e madhe të mashtrimit ishte një dëshmi e freskët se sa e do reformën në drejtesi Edi Rama. Llomotitja e mbrëmjes nuk reflektonte asgjëkundi takimin konstruktiv të pasdites, zhvillimin e ri, hapin e hedhur, marrëveshjen për caktimin e negociatoreve, përafrimin e zgjidhjes, por nga fillimi në fund vetëm retorikën e vjetër të konfrontimit”, ka deklaruar Basha.

Një përpjekje kjo, sipas tij, për ta hequr reformën në drejtësi nga tryeza ku po negociohet. “Një përpjekje për ta hequr nga tryeza e zgjidhjes e për ta shtruar në tavolinen e ushqimit te tij të përditshëm politik që është sulmi dhe provokimi ndaj opozitës”, ka komentuar Basha.

Ai është shprehur se, ky shfrim vërteton edhe njëherë nevojën akute për argumente elektorale që ka “kryeministri me bilancin më të keq të këtyre 20 viteve”.

“E tregoi dhe njëherë se nuk do drejtësi por shpëtim për veten e tij. Takohemi për konsensus si rruga e vetme për të votuar reformën, ky sa del nga takimi trumbeton ndarjen e re të parlamentit, të politikës!”, ka vijuar Basha.

E në cilën anë të ndarjes i bie të jetë ky që futi aty banditë, trafikantë droge, tutorë e vrasës – shtron pyetjen kryetari i PD.

“Armando Prenga që do thërrasë për të votuar të enjten reformën, në cilën ndarje bën pjesë? Pretendimi që i paska 94 vota është një presion kriminal, krejt e kundërta e asaj që duhet të vihet në themelet e një reforme afatgjatë në drejtësi”, ka pohuar Basha.

Ai ka ritheksuar se, kryeministri nuk i ka votat sepse projekti i tij nuk ka qenë dhe nuk është reforma në drejtësi, “por kapja e saj nëse do ta kishim lejuar ne, ose dështimi i saj”.

“Drejtësinë që lufton krimin e korrupsionin e ka në tryezë. Drejtësinë e pavarur që e rekomandon Komisioni i Venecias e ka në tryezë. Drejtësinë për qytetarët, për ligjin e jo për të mbyllur dosjet e tij e ka në tryezë. Për këtë drejtësi janë votat, gati për ta kaluar të enjten në Parlament. Është koha për të marrë përgjegjësi dhe për të shërbyer konsensusin dhe jo për të trazuar çorbën e prishur të rilindjes së skaduar që s’e gëlltit dot më askush”, ka shtuar Basha.

Top Channel