Atentatori i Nisës, jetë seksuale të shfrenuar

18/07/2016 00:00

Atentatori i Nisës, në Francë, nuk ishte një besimtar besnik. Përkundrazi, konsumonte mish derri dhe alkol dhe kishte një jetë seksuale të shfrenuar.

Kështu ka deklaruar prokurori i Parisit, Francois Molins, që po heton sulmin e javës së kaluar në qytetin jugor të Francës, ku mbetën të vrarë mbi 80 persona.

“Por së fundmi, sipas dëshmisë së një shoku të tij, ai rriti mjekrën duke dhënë si argument sfondin fetar”, ka saktësuar prokurori Molins.

Ditën e shtunë ishte ministri i Brendshëm francez që, duke përshkruar profilin e franko-tunizianit, deklaroi se ai nuk kishte rënë në sy vitet e fundit për një aderim tek ideologjia e islamizmit radikal, por duket se ishte radikalizuar shumë shpejt.

Ndër të tjera, Bernard Cazeneuve përgënjeshtroi zërat për një neglizhencë të policisë në lejimin që kamioni i masakrës të depërtonte mes njerëzve.

Ministri nënvizoi se, autoblindat e policisë e kishin bërë të pamundur aksesin në shëtitoren Promenade des Anglais.

“Kamioni i drejtuar nga Mohamed Lahouaiej Bouhlel ka kaluar duke hipur në mënyrë të dhunshme mbi trotuar”, deklaroi Cazeneuve.

Top Channel