Kosovë, demarkacionin me Malin e Zi e ka përcaktuar NATO?

18/07/2016 00:00

Në Kosovë është kthyer në çështje tepër të rëndësishme, që mban peng edhe liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë që duan të udhëtojnë lirshëm në vendet e zonës “Schengen” të Bashkimit Europian.

Megjithatë debati për demarkacionin, i cili ka futur në një krizë politike palët pozitë-opozitë në Kosovë, duket se me shumë gjasa rezulton të jetë i kotë. Kështu të paktën lë të kuptohet një dokument i zbuluar nga “Gazeta Fjala” në vendin përtej kufirit, dokument sipas të cilit vija kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi është përcaktuar nga forcat shumëkombëshe të NATO-s.

“Gazeta Fjala” ka zbuluar se demarkacioni mes Kosovës e Malit të Zi është konfirmuar në marrëveshjen e Kumanovës, me të cilën i është dhënë fund pranisë së forcave të armatosura serbe në Kosovë. Në përcaktimin e kësaj vije kufitare mësohet të jetë marrë si e dhënë gjendja e kufirit të vitit 1988.

E sipas asaj që bëhet e ditur, bazuar në këtë marrëveshje i jepet e drejta Komisionit shtetëror për Demarkacionin dhe përmbys pretendimet e tjera mbi mundësinë e humbjes së rreth 8 mijë hektarëve tokë.

Në nenin 3 të kësaj marrëveshjeje përcaktohet qartësisht zona 5-kilometërshe, në të cilën nuk lejohej prania e forcave të armatosura të ish-Jugosllavisë, pjesë e së cilës ka qenë edhe Mali i Zi. Kjo zonë prej 5 kilometrash, e njohur si Zona e Sigurisë Tokësore, sipas këtyre dokumenteve fillon nga territori i Kosovës deri në pikën e Çakorrit.

“Zona e Sigurisë Tokësore (GSZ) është përcaktuar si një zonë prej 5 kilometrash, që shtrihet përtej kufirit të Kosovës në territorin e pjesës tjetër të Republikës Federale të Jugosllavisë”, thuhet në pikën 3 (e) të Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel