Reforma, tani janë tre. Takimi prodhon raundin e fundit për drejtësinë

18/07/2016 00:00

Bojkoti i ambasadorëve për takimin e thirrur nga Ilir Meta nuk ndikoi në pjesëmarrjen e Lulzim Bashës dhe Edi Ramës.

Kryeministri, nuk e konfirmoi deri në momentin e fundit, por vendosi të shkonte, pavarësisht bojkotit të ambasadorëve,  ndoshta për të mos thelluar krizën me aleatin qeverisës.

Por, Rama nuk mundi të shmangë pasojën e parë politike të këtij takimi: që tani zyrtarisht nuk kemi dy, por tre palë. Dhe të tria palët kanë rënë dakord të bëjnë përpjekjen e fundit për kompromis.

“Si kryetar i Partisë Demokratike dhe kryetar i opozitës e vlerësoj këtë si një takim konstruktiv. Në fund të takimit të tre kryetarët e forcave politike kanë angazhuar secili nga një përfaqësues të tyrin për të kërkuar zgjidhje bazuar mbi propozimin hibrid dhe rekomandimet finale të Komisionit të Venecias”, tha Basha.

Për socialistët negocion Engjell Agaci i këshillit të ministrave, për demokratët Oerd Bylykbashi dhe për LSI-në ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani. Lulzim Basha e përshkroi takimin si konstruktiv dhe si një mundësi për të përmbyllur me sukses maratonën e reformës në drejtësi.

“Negociatori ynë, Oerd Bylykbashi ka plotfuqinë për të negociuar një zgjidhje, bazuar mbi propozimin hibrid dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias. Ne kemi paraqitur një zgjidhje dhe kontributi ynë për ta sjellë propozimin hibrid, tërësisht brenda parametrave të Venecias është dëshmia më e qartë e seriozitetit, e përkushtimit  dhe e sinqeritetit të Partisë Demokratike, që e ka parë dhe e sheh reformën në drejtësi si një interes madhor të qytetarëve shqiptarë dhe jo si një kalkulim politik apo një betejë paraelektorale”, tha kreu i PD.

Top Channel ka mësuar se 3 kryetarët kanë rënë dakord që një zgjidhje kompromisi eventuale mes negociatorëve, t’u dërgohet për ekspertizë ambasadës amerikane dhe Bashkimit Europian.

Top Channel