Poliklinika e specialiteteve, rinovohet e gjithë teknologjia

18/07/2016 00:00

300 mijë banorë të Tiranës do të marrin shërbim më të mirë mjekësor në poliklinikën e specialiteteve numër 1, apo siç njihet “poliklinika iraniane”. E vendosur në një godinë trekatëshe, ajo eshtë transformuar rrënjësisht edhe në aparatura. Në këtë poliklinikë specialitetesh referojnë pacinetët nga 10 qendra shëndetësore në Tiranë.

“E kishim shumë larg në lagjen numër 9 dhe planifikimet ishin më të gjata, ndërsa tani jemi afër, në lagje. Tashmë mund të vijmë edhe më shpesh dhe kontrollohemi edhe më mirë”, shprehet një qytetar.

Ministri  i Shëndetësisë, Ilir Beqaj theskoi së ky rikonstruksion është pjesë e programit për të kompletuar të gjithë vendin me shërbim kardiologjie.

“Hapëm 11 kabinete në spitalet që nuk ishin, po në Tiranë i hapëm edhe në poliklinika. Njerëzve t’i bëjmë një shërbim sa më të shpejtë dhe sa më të afërt. Ta shkarkojmë QSUT-në dhe aty të merren raste më të vërtetë të kompikuara”, u shpreh ministri i Shëndetësisë, Beqaj.

Kryeminsitri Rama, i cili pa nga afër transformimin e kësaj poliklinike tha se investimet e bëra në shëndetësi kanë sjellë rezultate të dukshme dhe diferencën nuk e bëjnë fondet, por vizioni i qeverisë në këtë fushë.

“Ne përballemi me një inerci të jashtëzakonshme rrënimi, shkatërrimi dhe të perceptimit të njerëzve. Te shëndetësia kemi bërë investime si asnjëherë më parë, duke programuar shumë më mirë, kemi zbatuar shumë më mirë. Gjithçka e kemi bërë në kuadër të një vizioni që gjërat të ndërtohen hap pas hapi”, u shpreh kryeministri Rama.

 

Top Channel