Kosovë, AGK dhe KMSHK: Qeveria synon t’i vërë nën kontroll mediet

18/07/2016 00:00

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK), kanë reaguar përmes një konference për media duke shprehur shqetësim lidhur me nismën ligjore për mbrojtjen e fëmijëve në mediet e shtypura dhe ato “online”.

Kjo nismë është ndërmarrë nga UNICEF-i, në emër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës (ZKM), e cila sipas tyre synon t’i vejë nën kontroll mediet në Kosovë.

Imer Mushkolaj, kryetar i bordit të KMSHK-së tha se, rregullorja për mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve në transmetime audiovizuale, mediet e shtypura dhe mediet “online” ka probleme serioze ligjore. Sipas tij, secila rregullore duhet të ketë si bazë ligjore një ligj. Ndërsa kjo rregullore, edhe pse e përmend ligjin për mbrojtjen e fëmijëve si bazë ligjore, nuk është bazuar askund, pasi ky ligj ende nuk është miratuar në Kuvendin e Kosovës dhe nuk ekziston si i tillë.

Mushkolaj tha se prej një muaji kanë kërkuar nga zyra e kryeministrit sqarime rreth kësaj rregulloreje dhe, ndonëse është premtuar se do të marrin një përgjigje deri më 7 korrik, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. AGK dhe KMSHK shprehin shqetësimin për injorimin e bërë nga ZKM-ja, të kërkesave për të marrë informacione rreth kësaj rregulloreje.

“Të provojmë që ta ndalojmë këtë rregullore, për shkak se konsiderojmë se synon t’i vë nën kontroll mediat, synon që të vë nën kontroll një aspekt të rëndësishëm të raportimit që ka të bëjë me fëmijët. Këshilli dhe AGK konsiderojnë se zyra e kryeministrit i ka injoruar. Pra shprehim shqetësimin e bërë nga zyra e kryeministrit, rreth kërkesave për të marrë informacion rreth kësaj rregullore. Dhe ky veprim i kryeministrit është vazhdimësi e qasjes jo transparente dhe injoruese ndaj gazetarëve që mbizotëron, respektivisht vazhdon të mbizotëroj në vite në këtë institucion. Asociacioni dhe Këshilli e kundërshtojnë fuqishëm idenë e Unicef-it dhe zyrës së kryeministrit, që të filloi të kontrolloj mediat online dhe të shtypura, të cilat janë kompetencë e këshillit të mediave të shkruara dhe kundër praktikave të shteteve të BE-së”, tha Mushkolaj.

Edhe Shkëlqim Hysenaj, kryetar i AGK-së, tha se janë të dëshpëruar me veprimet e zyrës së kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës, sa i përket kësaj çështjeje. Ai kërkon nga Qeveria të mos injorojë mediet dhe gazetarët.

AGK dhe KMSHK kërkojnë që mediet audiovizuale të vazhdojnë të rregullohen nga Komisioni parlamentar i Medias, që tashmë ka një rregullore për mbrojtjen e fëmijëve në media. Po ashtu kërkojnë nga zyra e kryeministrit që brenda 10 ditësh t’i informojë rreth veprimeve të bëra, me qëllim që të mos lejojë zhvillimin e mëtejshëm të kësaj nisme.

Top Channel