F1, Çmimi i Madh i Italisë pritet të spostohet nga Monza në Imola

18/07/2016 00:00

Çmimi i Madh i Italisë duket se do të spostohet nga Monza në Imola. Bosi i Formula 1, Bernie Ecclestone ka arritur marrëveshjen me drejtuesit e pistës së Imolës, për të zhvilluar aty garën italiane duke nisur që nga viti 2017.

Ajo që mbetet për t’u bërë është miratimi nga ana e Shoqatës italiane të Automobilizmit, president i së cilës është Angelo Sticchi Damiani.

Është ky i fundit që duhet të hedhë firmën në këtë marrëveshje të arritur, por problemi qëndron në faktin se, Damiani preferon pikërisht pistën e Monzës për garën e Formulës 1, ndërkohë që presidenti i “Formula Imola”, Umberto Selvatico Estense është në favor të ndryshimit të vendit organizator të garës italiane.

Kështu që, njëra zgjidhje që mendohet për këtë çështje është ajo e alternimit të pistave, siç ka ndodhur më parë me Çmimin e Madh të Gjermanisë, i ndarë mes Hockenheimit dhe Nurburgringut.

“Mendoj se e gjitha kjo është një çështje politike. Kemi gjetur akordin me Ecclestone, tani gjithçka varet nga Damiani. Nëse në të ardhmen në Itali nuk do të ketë një garë të Formulës 1, shkaku do të jetë vetëm Damiani, nëse ai nuk do ta firmosë këtë marrëveshje”, deklaroi Estense për portalin “motorsport.com”.

Ndërkaq, koha në dispozicion për këtë nuk është e mjaftueshme. Afati i fundit për të marrë një vendim është dhjetori, edhe pse programimi për organizimin e garës mund të nisë edhe më përpara.

Top Channel