Lojtari më i mirë i UEFA-s, zbulohen 10 kandidatët

18/07/2016 00:00

UEFA zbulon listën e 10 futbollistëve, nga të cilët do të dalin 3 pretendentët përfundimtarë që do të garojnë për trofeun e futbollistit më të mirë në Europë.

Gazetarët nga të 55 vendet anëtare të UEFA-s dhanë verdiktin e tyre për këtë listë, duke dhënë pikë për 5 lojtarët që ata mendojnë se kanë shkëlqyer më shumë këtë vit.

Procesi i votimit ishte i tillë: 5 pikë për vendin e parë, 4 për të dytin e kështu me radhë deri në 1 pikë për të pestin. Nga ky votim dolën 10 lojtarët më të mirë, të cilët do t’i nënshtrohen një tjetër votimi për të përcaktuar 3 pretendentët përfundimtarë, emrat e të cilëve do të mësohen më 5 gusht.

Ai që dominon në këtë listë është kampionati spanjoll e sidomos Reali i Madridit, që ka 4 futbollistë në garë për lojtarin më të mirë të UEFA-s: Ronaldo, Bale, Pepe dhe Kroos. Gjiganti tjetër iberik, Barcelona përfaqësohet nga Messi dhe Luis Suarez, ndërsa skuadra finaliste e Ligës së Kampioneve, Atletico Madrid ka mes 10 më të votuarve sulmuesin e përfaqësueses franceze, Antoine Griezmann.

Bayern Munchen ka në këtë listë Manuel Neuer dhe Thomas Muller, ndërsa Buffon është përfaqësuesi i vetëm i “Serie A”.

Emri i fituesit të trofeut të futbollistit më të mirë të UEFA-s do të mësohet më 25 gusht në Monaco, ku do të hidhet edhe shorti i fazës së grupeve të Champions League.

Më poshtë lista:

Gareth Bale (Real Madrid & UELLS)
Gianluigi Buffon (Juventus & ITALI)
Antoine Griezmann (Atlético Madrid & FRANCE)
Toni Kroos (Real Madrid & GJERMANI)
Lionel Messi (Barcelona & ARGJENTINE)
Thomas Müller (Bayern München & GJERMANI)
Manuel Neuer (Bayern München & GJERMANI)
Pepe (Real Madrid & PORTUGALI)
Cristiano Ronaldo (Real Madrid & PORTUGALI)
Luis Suárez (Barcelona & URUGUAJ)

Top Channel