Kriza politike rrezikon ekonominë, Ahmetaj: Rritja 3.4 përqind

18/07/2016 00:00

Ministri i Financave Arben Ahmetaj parlajmëroi se përshkallëzimi i krizës politike mund të vendosë në pikëpyetje rimëkëmbjen e ekonomisë.

“Nëse arrijmë ta bëjmë reformën në drejtësi nuk do të ketë aksident politik, dhe forcat politike do të tregohen të matuarar rritja ekoniomike këtë vit do të jetë mbi 3.4 për qind dhe vitin tjetër mbi 4”, tha Ahmetaj.

Një ditë më parë aleati i socialistëve në qeveri, Ilir Meta propozoi krijimin e një qeverie teknike si rruga më e mirë për të dalë nga ngërçi politik.

“Besoj që forcat politike në Parlament janë të maturuara, që maxhoranca është e maturuar. Reforma në drejtësi nuk ka pse të bëjë viktimë Qeverinë”, tha ai.

Kriza politike duket një rrezik i ri për ekonominë, e cila sipas kreut të financave ka vazhduar të forcohet duke përmirësuar edhe tregun e punës.

“Fakti tregon që vendet janë shtuar, punësimi është rritur dhe papunësia është ulur”, u shpreh Ahmetaj.

Sipas Ahmetajt, edhe ecuria e të ardhurave buxhetore është përmirësuar ndjeshëm

“Anti-informaliteti po funksionon si në edukimin e biznesit, por edhe të administratës”, u shpreh ai.

Zhvillimet e fundit politike kanë vënë në pikëpyetje edhe miratimin e një sërë nismasve të rëndësishme në fushën e financave si ligji i faljes së borxheve dhe ai i procedurave, por Ahmetaj tha se maxhoranca i ka votat dhe ligjet do të kalojnë.

Top Channel