Kazakistan, sulm me disa të vdekur ndaj stacionit të policisë në Almati

18/07/2016 00:00

Një person i armatosur ka vrarë 3 policë dhe një qytetar në kryeqendrën tregtare të Kazakistanit, Almati. Lajmi konfirmohet nga zyrtarë të shtetit.

Ndërkohë, Ministria e Brendshme bën të ditur përmes një deklarate se agresori 27-vjeçar është kapur, ndërsa një bashkëpunëtor është ende në arrati.

Agjencia ruse e lajmeve “Interfax” citoi një burim policor të ketë thënë se “një besimtar radikal” ishte duke shtënë me armë zjarri në qendër të qytetit.

Kazakistani i pasur me burime nafte ka parë kohëve të fundit shumë pak protesta apo akte të dhunshme, nga njerëz të irrituar me reformat e propozuara për tokën.

Dy oficerë policie u plagosën në sulmin e pak çasteve më parë, ndërsa agresori i arrestuar dyshohet të ketë vrarë një tjetër person më herët gjatë këtij muaji.

Dëshmitarë të ndryshëm i thanë agjencisë së lajmeve “Reuters” se kishin dëgjuar të shtëna në tri pjesë të ndryshme të Almatit, qytetit më të madh me shumicë myslimane në vend.

Sulmi u krye ndaj një stacioni policor dhe një ndërtese të Shërbimit kombëtar të Sigurisë, sipas raporteve. Ai vjen një muaj pas sulmit vdekjeprurës në veriperëndim të qytetit të Aktobes, aty ku grupe personash vunë në shënjestër dyqanet e shitjes së armëve dhe një bazë ushtarake, duke vrarë 7 persona. Të paktën 18 agresorë u vranë nga policia gjatë atij sulmi dhe gjatë kërkimeve që pasuan.

Autoritetet fajësojnë për incidentin e fundit ekstremistët islamikë. Ndërkaq, Kazakistani, i cili është edhe shteti më i pasur ndër shtetet aziatikoqendrore ish-Sovjetike, qeveriset nga një president autoritar prej vitit 1989, Nursultan Nazarbayev.

Top Channel