Vrasja e oficerëve, Obama bën thirrje për vetëpërmbajtje dhe unitet

18/07/2016 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje pas vrasjes së 3 oficerëve të policisë në qytetin Baton Rouge të Louisianës. Agresori Gavin Long, një afro-amerikan që kishte shërbyer për 5 vite në forcat e Marinës amerikane, ka mbetur gjithashtu i vdekur.

Ai kishte publikuar video në internet, me anë të të cilave ankohej mbi trajtimin policor të afro-amerikanëve në vend. Tensionet në Baton Rouge mbeten në nivele të larta që kur u vra Alton Sterling, një njeri me ngjyrë, nga forcat e policisë teksa mbahej shtrirë në tokë dhe nuk përbënte rrezik për ta, dy javë më parë.

Vdekja e Sterling, por edhe vrasja e një tjetër personi me ngjyrë nga policia në Minnesota, nxitën protesta të shtunë anembanë Shteteve të Bashkuara, por shkaktuan edhe një ndjenjë hakmarrjeje nga një veteran me ngjyrë i ushtrisë, i cili vrau më pas 5 oficerë policie dhe plagosi disa të tjerë në Dallas të Teksasit.

Në njërën prej videove të publikuar në “Youtube”, Long thoshte se “çfarëdo që t’i ndodhë atij, ai nuk është pjesë e asnjë grupi. “Jam i lidhur vetëm me shpirtin e drejtësisë, as më shumë e as më pak. Kam mendimet e mia dhe kam marrë vendimet e mia”, thotë ai.

Në një transmetim të drejtpërdrejtë nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Obama u bëri thirrje sërish amerikanëve të bashkohen dhe të vetëpërmbahen duke shmangur gjuhën përçarëse.

“Pavarësisht motivit, vdekja e këtyre 3 oficerëve të zotë tregon edhe njëherë rrezikun me të cilin përballet policia anembanë vendit çdo ditë që kalon, ndërkohë që ne si komb duhet ta bëjmë të ditur me zë të lartë dhe në mënyrë të qartë se, asgjë nuk e justifikon dhunën ndaj forcave ligjzbatuese”, tha Obama.

“Çdokush tashmë duhet të fokusohet në fjalët dhe veprimet, të cilat do të mund ta bashkojnë këtë vend dhe jo ta përçajnë më tej atë”, shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë, në një moment kur Shtetet e Bashkuara nisin periudhën dyjavore të konventave politike, me Partinë Republikane të parën që takohet në Cleveland pasditen e kësaj të hëne.

“Ne duhet të zbusim fjalët tona dhe të hapim zemrat. Dhe këtu e kam fjalën për të gjithë ne”, tha më tej presidenti.

Një shërbesë është zhvilluar nga oficerë policie dhe qytetarë gjatë mbrëmjes së të dielës në kishën “Saint John the Baptist” në Zachary, rajon verior i Baton Rouge. Incidenti nisi mëngjesin e së dielës, pas të shtënave në një stacion karburanti. Policia mori raportimet për praninë e një personi të armatosur. Një dëshmitar tha se dyshohej të ishte një shkëmbim zjarri mes anëtarëve të bandave, që zgjati për rreth 15 minuta, në fund të të cilit mbetën të vrarë 3 oficerët e policisë si dhe vet agresori. Por u plagosën edhe 3 oficerë të tjerë, prej të cilëve njëri në gjendje të rëndë.

Oficerët e ndarë nga jeta janë identifikuar si Montrell Jackson, 32 vjeç; Matthew Gerald, 41 vjeç; si dhe Brad Garafola, 45 vjeç. Ndërsa agresori 29-vjeçar mësohet të ketë qenë një ish-marins nga Kansas City i Missourit.

Top Channel