Afron Olimpiada “Rio 2016”, kërkohet përjashtimi i Rusisë

17/07/2016 00:00

Rusia rrezikon të mos ketë asnjë sportist në Lojërat Olimpike të Rio de Janeiros. Sipas asaj që publikohet te prestigjiozja amerikane “New York Times”, 10 agjenci antidopingu – mes të cilave ato në Amerikë, Kanada, Gjermani, Spanjë, Japoni e Zvicër, – i kanë kërkuar Komitetit Olimpik Ndërkombëtar të përjashtojë sportistët rusë të të gjitha disiplinave.

Ajo që të bën përshtypje është se, këtij apeli i janë bashkuar edhe 20 sportistë, emrat e të cilëve nuk bëhen publikë.

“Në emër të sportistëve të pastër dhe të organizatave antidoping, besojmë se IOC, duke u bazuar edhe te kodet e parimet olimpike, do të pezullojë menjëherë Komitetin Olimpik dhe Paralimpik rus dhe do të deklarojë se asnjë sportist nuk mund të përfaqësojë Rusinë në këto lojëra”.

Sigurisht, në krye të kësaj lëvizjeje qëndrojnë SHBA-të dhe Agjencia e saj Antidoping “USADA”. Kjo e fundit, nëpërmjet presidentit të saj Travis Tigart, deklaroi se rusët nuk e mbajtën premtimin për të marrë masa të forta për të pastruar sportet e vendit nga fenomeni i dopingut.

Top Channel