Lu e Vlahutin pranojnë ftesën e Metës: Diskutimet të bazohen mbi propozimin hibrid

17/07/2016 00:00

Ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu dhe ajo e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, kanë pranuar ftesën e kreut të Kuvendit, Ilir Meta, për t’iu bashkuar diskutimeve ditën e hënë, duke nënkuptuar se këto diskutime do bazohen mbi propozimin hibrid.

“Më 10 korrik, si qeveria ashtu edhe opozita u angazhuan përpara Ambasadores Nuland se negociatat e ardhshme do të bazoheshin vetëm mbi propozimin hibrid, i cili vë në zbatim plotësisht paragrafin 88 të Komisionit të Venecias dhe ka mbështetjen e OPDAT dhe EURALIUS”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-ve.

Ndërsa, në një deklaratë të delegacionit të BE-së në Shqipëri thuhet se Ambasadorja është e gatshme të ofrojë pikëpamjet e Bashkimit Europian rreth propozimit dhe përputhshmërisë së plotë të rolit të parashikuar për operacionin ndërkombëtar të monitorimit me opinionin e Komisionit të Venecias, si edhe me qëndrimin afatgjatë të BE-së dhe SHBA-ve se i gjithë pushteti vendimmarrës duhet të qëndrojë me autoritetet shqiptare.

“Bashkimi Europian ka mbështetur dhe lehtësuar si punën e ekspertëve, ashtu edhe negociatat politike për reformën në drejtësi që prej fillimit, për arsye se kjo reformë jo vetëm që kërkohet nga qytetarët shqiptarë, por edhe përbën një parakusht thelbësor për hapat e mëtejshëm të Shqipërisë për integrimin në BE”, thuhet në deklaratë.

Delegacioni i BE-së në vendin tonë është shprehur i gatshëm të vazhdojë të japë asistencën edhe në të ardhmen, por nënvizojnë se përgjegjësia për këtë reformë është e autoriteteve shqiptare.

Top Channel