Turqi, 6000 të arrestuar. Erdogan: Po pastrojmë vendin nga “virusi”

17/07/2016 00:00

Turqia po i përgjigjet me grusht të hekurt tentativës së dështuar të ushtrisë për të marrë pushtetin me dhunë. Mbi 6 mijë persona janë arrestuar dhe siç bën të ditur Presidenti, Rexhep Taip Erdogan, numri pritet të rritet.

Mes tyre përfshihen zyrtarë të lartë të ushtrisë, 50 prej të cilëve u arrestuan të dielën në rajonin perëndimor të Denizili, të tille si gjenerali Erdal Ozturk, komandant i ushtrisë së tretë, gjenerali shqiptar me origjinë nga Mitrovica, Adem Huduti, komandant i ushtrisë të dytë dhe Akin Ozturk, ish-shef i shtabit të forcave ajrore.

Ndërkohë u shkarkuan nga detyra dhe u ndaluan gjithashtu 2700 gjykatës, që akuzohen për lidhje me Fetullah Gylenin, kleriku me bazë në SHBA i akuzuar nga Erdogan si ideatori i grushtit të shtetit. Bozdag e cilësoi këtë si një operacion spastrimi.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, i cili mori pjesë në ceremoninë e varrimit të një prej 265 viktimave të grusht shtetit, përsëriti qëndrimin se pas kësaj ngjarjeje qëndron Gylen.

Sa i përket arrestimeve, ai tha se vendi po pastrohet nga një virus i cili është përhapur shumë dhe ka mbështjellë shtetin.

“Ne do të vazhdojmë të pastrojmë nga ky virus të gjitha institucionet shtetërore sepse ky virus është përhapur shumë. Fatkeqësisht, ashtu si një kancer, ky virus ka mbështjellë shtetin”, u shpreh ai.

Top Channel