Gjyqtarja arratiset nga Durrësi 12 orë përpara se të merrej vendimi për arrestimin

17/07/2016 00:00

Kur Gjykata e Lartë shpalli masën e sigurisë pezullim nga detyra të gjyqtares Majlinda Andrea, ajo kishte të paktën 12 orë që kishte lënë Shqipërinë. Sistemi Tims tregon se gjyqtarja Majlinda Andrea, e dyshuar për korrupsion pasiv, ka dalë nëpërmjet portit të Durrësit me bashkëshortin gjatë orës 02:00 të mesnatës së të premtes, ndërsa vendimi është dhënë nga kolegji penal në orën 16:30 të së shtunës.

Sipas burimeve, në sistemin Tims është regjistruar se 48-vjeçarja ka dalë e shoqëruar nga familjarët me një automjet. Ka dyshime të forta, thanë burime të Top Channel, se ka rrjedhje të informacionit dhe se gjyqtarja Andrea është vënë në dijeni për hetimet e Prokurorisë së Përgjithshme e cila po përgjonte të paktën pesë persona për aferën korruptive.

Burimet shpjegojnë se emri i gjyqtares së lartë ka dalë rastësisht në përgjime. Grupi i hetimit po përgjonte në fund të qershorit për një çështje tjetër korruptive dhe sapo është përmendur emri i Andreas dosja i ka kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda që nga ana e saj po ashtu ka shpallur mos kompetencën duke ja deleguar Prokurorisë së Përgjithshme.

E ndërsa me këtë dosje është marrë prokurori Arben Kraja, në përgjime dhe sipas raportit të vëzhgimit, del se i pandehuri Petraq Dashi pas nënshkrimit të një kontrate fiktive me të dyshuarit Ilia Çabiri dhe Eleni Lito, e ka tërhequr këtë shumë në një “exchange” në qytetin e Sarandës dhe më pas ka udhëtuar drejt kryeqytetit duke ja dorëzuar në një lokal 50 mijë eurot bashkëshortit të gjyqtares, Odisea Andrea.

Burimet shtojnë për Top Channel se kanë nisur gjithashtu hetimet edhe për dekonspirim të dosjes.

Top Channel