Vettel humb durimin, mendon largimin nga Ferrari

17/07/2016 00:00

Ajo që nisi si një histori dashurie me Ferrarin mund të përfundojë me një largim nga porta e pasme. Pas rezultateve të fundit të kokëkuqes në Formula 1, në vendin e Apenineve po ngrihen dyshimet se Sebastian Vettel po mendon largimin nga kjo skuadër.

Është e vërtetë që Vettel kur firmosi me Ferrarin e dinte shumë mirë që do të përjetonte një vit të parë tranzicioni me këtë skuderi ku gjërat shkuan sipas parashikimeve me Ferrarin që rezultoi si alternativa e vetme për fitore në momentin që gabonte Mercedes.

Për këtë sezon në Maranello synohej fitorja e titullit, por problemet me besueshmërinë si dhe shfaqja e Max Verstappen bënë që Ferrari të parakalohej nga Red Bull, situatë kjo që duket se nuk po i pëlqen gjermanit.

Vettel ka me Ferrarin një kontratë që skadon në vitin 2017, por 4 herë kampioni i botës mund të fillojë që tani të kërkojë një skuadër të re për të qenë i përgatitur në momentin që mbyllet kjo kontratë. I vetmi opsion që i mbetet është Mercedes, pasi Red Bull me Ricciardon dhe Verstappen duket se ka gjetur ekuilibrin.

Te Mercedes, Nico Rosberg, pas paraqitjeve në garat e para u duk se e kishte të garantuar rinovimin e kontratës, por pas incidenteve e Hamilton në javët e fundit, ka bërë që kjo temë të diskutohet sërish te skuderia gjermane.

Por jo vetëm kaq, mësohet se Vettel nëpërmjet një miku të përbashkët ka mundur të komunikojë me Toto Volff për të kuptuar mundësitë që ka për të kaluar tek ajo skuadër që do të ishte një alternativë e vlefshme për vitin 2018.

Top Channel