Demarkacioni, Mustafa: Konsensus me të gjithë spektrin politik e qytetar

17/07/2016 00:00

Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se, së bashku me PDK-në po bëjnë përpjekje për konsensus brenda koalicionit, për ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin.

Ai thotë se nuk mund të lejohet që, tema kaq të rëndësishme për shtetin, integrimin euroatlantik dhe sovranitetin e subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit, të keqpërdoren për përfitime elektorale.

Mustafa thotë gjithashtu se po bëjnë përpjekje të krijojnë konsensus për demarkacionin jo vetëm brenda koalicionit, por në të gjithë spektrin politik e qytetar.

“Për këtë arsye kemi krijuar hapësirë të nevojshme për debat, ku ka ndihmuar shumë edhe qëndrimi i Departamentit të Shtetit, deklarata e Presidentit Obama, qëndrimi i drejtuesve europianë dhe krijimi i Komisionit të Ekspertëve Ndërkombëtarë nga ish-presidentja”, tha Mustafa në intervistën për gazetën “Zëri”.

Mustafa është i bindur se mosratifikimi i Demarkacionit në Kuvend rrezikon jo vetëm lëvizjen pa viza, por edhe proceset që lidhen me sovranitetin, transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur, si dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në BE.

Ai konsideron kauzë për përfitime elektorale qëndrimin e opozitës karshi kësaj çështjeje, e thotë se opozita nuk po arrin të dëshmojë se kujt i humben mbi 8.000 hektarë tokë, teksa territori i Kosovës dhe i komunës së Pejës janë të plota, shkruan më tej “Zëri”.

Top Channel