Gëtze drejt Dortmundit

17/07/2016 00:00

Bajerni i Mynihut ka nisur bisedimet me drejtuesit e Borusias së Dortmundit për kthimin e Mario Gëtzes tek verdhezinjtë. Ai që e ka konfirmuar këtë ishte pikërisht shefi ekzekutiv i klubit bavarez, Karl Hainz Rummenige për median gjermane.

“Mund të konfirmoj se kemi nisur diskutimet si me drejtuesit e Borusias, ashtu edhe me agjentin e Gëtzes -tha Rumenige- megjithatë në këtë moment nuk ka asgjë përfundimtare”.

Mario Gëtze sezonin e kaluar u aktivizua shumë pak nga trajneri Pep Guardiola. Dëshira për t’u kthyer te ish-skuadra e tij nuk mungon, pavarësisht se në stolin e kampionëve të Gjermanisë tashmë është Carlo Ancelotti.

“Mario Gëtze ka një çmim dhe nëse Borusia Dortmund është e gatshme ta paguajë atë atëherë ne do ta pranojmë transferimin e tij. Është një çështje ku janë 3 palë që diskutojnë dhe ku të gjithë duhet të mbeten të kënaqur. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë”, përfundoi Rumenige.

Top Channel