Ideja e Interit, Capello në klub në rol drejtuesi

17/07/2016 00:00

Inter mendon seriozisht të ketë Fabio Capellon. Sipas të përditshmes “La Gazzetta Dello Sport”, klubi zikaltër ka hedhur idenë që t’i ofrojë trajnerit friulan një rol drejtuesi në klub, por nuk përjashtohet mundësia që ai të bëhet edhe trajner i kësaj skuadre për 2-3 sezone.

Në këtë pikë gjithçka do të varet nga takimi që do të zhvillohet mes Roberto Mancinit dhe Erik Tohir në SHBA. Nëse nuk do të ketë asnjë marrëveshje mes tyre atëherë Capello mund të ulet në stolin e skuadrës milaneze.

Gjithnjë sipas “La Gazzetta Dello Sport”, ditët e fundit, drejtuesit e Interit hynë në kontakte me djalin dhe njëkohësisht edhe agjentin e Kapelos, Pierfilippo dhe e gjithë kjo për të kuptuar nëse ekzistojnë mundësitë reale që ai të bëhet pjesë e skuadrës.

Pas një eksperience jo shumë pozitive me Rusinë, Capello vendosi të refuzojë edhe ofertat më marramendëse të ardhura nga klubet kineze për rolin e trajnerit. Por atij nuk do t’i vinte keq aspak që të ishte në rolin e një drejtuesi.

Nëse “Suning”, kompania që ka marrë zotërimin e Interit do të miratojë ardhjen e Capellos te Interi, italiani do ta ketë të vështirë të refuzojë ofertën e zikaltërve, pasi projekti i kompanisë kineze është vërtet ambicioz duke qenë se drejtuesit e saj kanë vendosur të bëjnë investime të rëndësishme.

Nuk është hera e parë që emri i Fabio Capellos lidhet me atë të Interit. Në vitin 1999 Morati e kërkoi atë për stolin e zikaltërve, por në fund zgjodhi Marcelo Lippin. Tentativa tjetër e tij ishte në vitin 2005, por skandali i Calciopolit të shpërthyer një vit më vonë bëri që të bjerë edhe kjo mundësi.

Top Channel