Grabitja në Rinas, PD: Do të publikojmë provat e bashkëpunimit të njerëzve të Tahirit

17/07/2016 00:00

Partia Demokratike ka rikthyer në vëmendje vjedhjen spektakolare në pistën e Rinasit. Anëtari i Komisionit të Sigurisë, Alban Zeneli, tha se grabitja e miliona eurove dhe tronditja që kjo ngjarje shkaktoi në mbarë opinionin publik, u shoqërua nga përpjekjet e Edi Ramës e Saimit Tahirit për ta larguar përgjegjësinë nga vetja.

Sipas tij, edhe sot që kanë kaluar 18 ditë nga sulmi, ende askush nuk ka mbajtur përgjegjësi, dhe Rama e Tahiri po luajnë çdo gur që kanë në dorë për të dalë të larë nga kjo histori.

“Gjithkush e di se në grabitjen me armë e me maska në shkallët e avionit, pati bashkëpunim të policisë, të shefave të pikave kyçe të aeroportit të Rinasit e më lart. Është provuar se policia edhe pse gjendej në pistën e avionëve, edhe pse kishte prezencë të shtuar pas sulmeve në aeroportin e Stambollit, nuk reagoi ç’ka bëri të mundur grabitjen dhe largimin e qetë të autorëve, asnjë prej të cilëve ende nuk është ndaluar”, tha ai.

Partia Demokratike paralajmëroi se do të publikojë nesër fakte dhe të dhëna që sipas tyre, do të vërtetojnë katërcipërisht bashkëpunimin e njerëzve të Saimir Tahirit në polici në grabitjen e Rinasit.

“Prova që dëshmojnë dhe një herë, inkriminimin tronditës që ka ndodhur në policinë e shtetit me Ramën e Tahirin në këto 3 vite. Nesër, prova e fakte, foto dhe filmime për përfshirjen e njerëzve të Tahirit në grabitjen më të rëndë të këtyre viteve në Shqipëri”, deklaroi Zeneli.

Top Channel