Sulmi në Nice, arrestohen edhe dy persona të tjerë

17/07/2016 00:00

Dy arrestime të reja janë kryer në kuadër të hetimeve mbi ngjarjen tragjike në Nice të Francës. Një prej tyre është ish-e shoqja e Mohamed Lahouaiej-Bouhlel, dhe tjetri një person i përshkruar si “i njohur i afërt i tij”.

Prangosjet e fundit e çojnë në 7, numrin total të të ndaluarve për lidhje me franko-tunizianin 31-vjeçar, që përplasi mbrëmjen e 14 korrikut kamionin e marrë me qira mbi turmën e të pafajshmëve të mbledhur në shëtitoren e qetë “Promenade des Anglais” për të shijuar spektaklin tradicional të fishekzjarreve.

Francois Hollande e etiketoi shpejt episodin si sulm terrorist dhe hetuesit tani po përpiqen të zbulojnë nëse tuniziani kishte lidhje me grupe ekstremiste. Për nga mënyra e organizimit, atentati i Nices duket sikur origjinën e ka drejtpërdrejt në manualin e Shtetit Islamik:

“Bëhuni ujqër të vetmuar dhe kryeni atentate në vendet tuaja”, ishte këshilla e dhënë ithtarëve të organizatës së dhunshme ekstremiste në Europë. “Për këtë mund të përdorësh si armë edhe automjete, apo objekte të tjera të jetës së përditshme”, vijonte orientimi nga krerët e grupit.

Mbase ajo që shihet sot në Nice është pikërisht efikasiteti vdekjeprurës i kësaj metode. Sulmi i tri ditëve më parë e shton edhe më shumë presionin mbi shërbimet franceze të inteligjencës, forcat e sigurisë, por edhe vet qeverinë e vendit.

Analistë si Barbara Wessel mendojnë se, për Presidentin Hollande, atentati i qytetit jugor do të thotë fund politik. Ai reagoi vërtet me ashpërsi pas sulmeve të nëntorit, me forcim ligjesh e vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Por nga ana tjetër nuk arriti të reformonte shërbimet e rrëmujshme të sigurisë, e të krijonte një autoritet të vetëm dhe të fuqishëm antiterror.

Në lidhje me atentatet e Parisit doli në pah se, megjithë paralajmërimet se ishin bërë gabime, të dhënat nuk u shfrytëzuan dhe personat e dyshimtë nuk u arrestuan në kohën e duhur. Në Nice mbrëmjen e terrorit, mes njerëzve të tjerë të ngërthyer aty në momentet e tragjedisë ishte edhe i famshmi Bono i “U2”-ve, i cili sipas raporteve në mediet e huaja, u desh të shpëtohej prej forcave speciale franceze nga restoranti ku po darkonte.

Top Channel