Basha, përgjigje Ramës: Gati për debat, jo vetëm për drejtësinë

17/07/2016 00:00

Kreu i opozitës, Lulzim Basha i është përgjigjur ftesës së ripërsëritur të kryeministrit Rama, sërish përmes rrjetit social “Facebook”.

“Debat? Në çdo orë, në çdo ditë që të dëshirosh!”, nis reagimi i Bashës, i cili ofrohet për debat jo vetëm për reformën në drejtësi, por edhe “për taksat e larta, për arsimin dhe shëndetësinë në ditë të zeza, për ekonominë në agoni, për varfërimin dhe shpunësimin e shqiptarëve, për pasigurinë dhe pushtetin e bandave, për korrupsionin dhe inkriminimin e qeverisjes, e natyrisht edhe për drejtësinë, por sidomos për rrugët e daljes nga kriza, që PD i ka të hedhura në alternativën e saj për çdo fushë”, shprehet Basha.

Më tej Basha përqëndrohet te reforma në drejtësi.

“Drejtësia dhe reforma kushtetuese nuk zgjidhet me akrobacira politike, e as me shfaqje televizive. Kjo çështje kërkon konsensus e vullnet. Unë dhe Partia Demokratike i kemi dëshmuar të dyja këto cilësi e virtyte që ditën e parë, cilësi e virtyte që kanë munguar rëndshëm në anën tuaj. Unë nuk besoj se ju keni ndonjë mandat për të folur në emër të SHBA e BE, këto punë nuk zgjidhen me Bilalin. Por ti ke mandatin e përgjegjësinë për t’u bërë pjesë e zgjidhjes”, i drejtohet Basha Ramës.

“Edhe një herë, cakto negociatorët, jepu plotfuqinë të negociojnë zgjidhjen. Mos u kap pas preteksteve e alibive. Ne kemi ofruar rolin më të gjerë e më të fuqishëm të ndërkombëtarëve në procesin e ‘Vetting’-ut, duke ju përmbajtur ‘Venecias’. Përgjegjësitë e tjera u takojnë shqiptarëve dhe përfaqësusit e tyre legjitimë duhet ta çojnë në fund e ta realizojnë reformën në drejtësi”, mbyll reagimin e tij Basha.

Top Channel