Një rrokullimë ngjarjesh tronditëse, në pjesë të ndryshme të botës këto muajt e fundit, i ka shtyrë njerëzit të kalojnë nga një përjetim dhimbjeje në tjetrin. Për një grup përdoruesish të “Twitter”-it ekziston një arsye, përse globi është kaq i trazuar këto kohë.

Ajo është vdekja e David Bowie. “Bowie nuk ishte hyjni, ishte vetëm një muzikant i shkëlqyer. Por a e keni vënë re, që pas humbjes së tij bota po bie copash”, shkruan në rrjetin social Tom Green.

E këtu ka diçka të vërtetë. Që kur Bowie ndërroi jetë, 10 janarin e këtij viti, kanë ndodhur një sërë fatkeqësish. Pati si fillim një fluks vdekjesh të emrave të njohur si Alan Rickman, Mohammad Ali, Terry Wogan, Ronnie Corbett, Victoria Wood, Prince e të tjerë.

Koreja e Veriut vendosi të lëshonte një raketë me rreze të gjatë veprimi, në sfidë të hapur të traktateve të OKB-së. Ndodhi sulmi terrorist me 32 të vrarë e qindra të plagosur në Aeroportin e Zaventemit dhe stacionin e metrosë së Maalbekut në Bruksel.

Plot 70 do të ishin jetët e humbura pak pas kësaj, nga një shpërthim vetëvrasës në Lahore të Pakistanit. Po në këtë periudhë plasi skandali “Panama Papers”. Një avion i “EgyptAir” u rrëzua në detin Mesdhe, duke shkëputur në mes jetët e 66 personave.

Mbretëria e Bashkuar votoi për largimin nga Bashkimi Europian, duke bërë që mbi Britani të grumbullohen re të një paqëndrueshmërie ekonomike dhe politike. “Euro 2016” u shenjua nga përleshje të dhunshme mes tifozëve, sidomos atyre anglezë e rusë.

Plot 20 të huaj vdiqën në mënyrë brutale në duart e militantëve islamikë, që mësynë një restorant në Bangladesh. Sulmet vetëvrasëse e shpërthimet e bombave në një zonë tregtare të Bagdadit do të vrisnin gati 300 vetë.

Një 31-vjeçar vret 84 vetë me një kamion frigoriferik në Nice të Francës, në ditën kur vendi kremtonte festën e tij kombëtare, e së fundi puçi ushtarak për rrëzimin e Recep Tayyip Erdoganit me 265 viktima, dhjetëra nga të cilët civilë.

Top Channel