Takimi me ambasadorët, Presidenca: Bushati dhunoi ligjin dhe Kushtetutën

16/07/2016 00:00

Presidenca ka reaguar pasditen e kësaj të shtune në lidhje me anulimin e takimit me ambasadorët, duke deklaruar se shkak për të janë bërë sjelljet e papërgjegjshme, deri në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës, të ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati.

“Institucioni i Presidentit të Republikës e konsideron një rast skandaloz dhe të paprecedent aktin e shëmtuar të dhunimit të rregullave dhe ligjeve të shtetit nga një funksionar i lartë siç është ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati”, thuhet në deklaratën për shtyp.

Presidenca sqaron se, më datë 14 korrik 2016, në orën 19.30, kreu i shtetit kishte ftuar në një takim ambasadorët e Republikës së Shqipërisë kudo në botë, të cilët ishin thirrur në atdhe për të marrë pjesë në Konferencën Vjetore.

“Por Ministria e Jashtme, në mënyrë të përsëritur, në fyerje të Kushtetutës së Republikës, të praktikës protokollare shtetërore dhe në dhunim të prerogativave kushtetuese të kryetarit të shtetit ndaloi pjesëmarrjen e tij në hapjen dhe zhvillimin e Konferencës Vjetore”, sqaron Presidenca.

Zyra e zotit Nishani saktëson se, “në çdo rast Konferenca e Ambasadorëve hapet dhe përshëndetet nga Presidenti i Republikës dhe askush tjetër”.

“Ky akt i papërgjegjshëm, foshnjarak, bizantin dhe i dënueshëm rëndon shumë imazhin e vendit tonë, për fat të keq”, vijon deklarata.

Në njoftimin zyrtar, Presidenca akuzon ministrin Bushati se, “në mënyrë të përsëritur refuzon të njohë institucionin e Presidentit të Republikës”.

“Në pritjen që kryetari i Shtetit kishte organizuar në ambjentet e Presidencës nuk ishte i ftuar ministri Bushati dhe pjesëtarë të stafit të MPJ-së”, saktësohet në deklaratë. Lista e të ftuarve u ishte dhënë autoriteteve të Gardës së Republikës në respekt të procedurave protokollare dhe sigurisë. Por, “me një akt prej dhunuesi, ministri Bushati dhe persona të tjerë të paftuar depërtuan me forcë në ambjentin ku do të organizonte pritjen presidenti i Republikës. Një veprim i paekuilibruar dhe i paprecedent në historinë e Shtetit Shqiptar”, vijon deklarata.

Administrata e presidentit, “e shqetësuar për mospërmbushjen e detyrës nga punonjësit e Gardës së Republikës”, i është adresuar drejtuesve të këtij institucioni për të hetuar dhe marrë të gjitha masat e nevojshme në zbatim te ligjit dhe Kushtetutës së vendit – përfundon njoftimi zyrtar.

Top Channel