Prej 55 vitesh Ernest Hemingway nuk i përket më fizikisht kësaj bote. Por shkrimtari ka fituar përjetësinë.

Viti 1961, në të cilin në mënyrë vullnetare u nda nga jeta, është edhe viti i veprës së tij të parë në shqip “Lamtumuirë Armë”, përmes përkthimit mjeshtëror të Vedat Kokonës, e më pas Ismalil Kadaresë e Alqi Kristos.

I konsideruar si strehë e brezit të humbur, Ernest Hemingëay vazhdon të mbetet shkrimtari më i shquar amerikan.

“Në Shqipëri, përveçse ka qenë ndër autorët më të preferuar, Hemingway ka shtyrë dhe mjaft krijues drejt rrugës së krijimtarisë. Është një nga ata krijues që nuk u ikën koha, si Dante, Shakespeare, etj”, thotë botuesi Petrit Ymeri.

Si një homazh ndaj shkrimtarit, në Bibliotekën Kombëtare është çelur një ekspozitë përkujtimore me botimet e tij të hershme dhe të fundit në shqip.

Hemingway, përveçse një shkrimtar me ndikim të madh në vlerat universale, ka qenë edhe një personazh tipik për jetën e furrishme private që ka patur.

“Periudha pariziane e Hemingway është shumë e rëndësishme për jetën dhe veprën e tij, sepse Parisi ka qenë qendra e kulturës botërore. Aty Hemingway ka qenë me shkrimtarë të tjerë të mëdhenj dhe ka patur një jetë shumë të stuhishme”, tregon më tej Ymeri.

“Plaku dhe Deti”, “Dhe Dielli Lind”, “Kopshti i Edenit”, apo “Dëborat e Kilimanxharos” shënojnë profilin e tij të shkëlqyer të realizmit letrar, por edhe një gamë personazhesh me përjetimet e brezit të humbur, që do të ngelen gjatë në mëmorien e letrave botërore.

Top Channel