Bushati: Keqardhje për Nishanin. Presidenti nuk respekton protokollet

16/07/2016 00:00

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka reaguar përmes rrjeteve sociale ndaj atyre që i ka cilësuar “shpërfillësit e ligjit dhe frikacakët nga reforma”.

Në statusin e tij në Facebook, Bushati ka përdorur tone kritike ndaj presidentit Nishani, për mungesën e sqarimit lidhur me anulimin e takimit me ambasadorët.

“Habitem se si një president që ka mesatarisht 2-3 këshilltarë për çdo çështje, përfshirë ato protokollare, nuk sqaron opinionin publik për veprimin e tij të paprecedent në shkelje të ceremonialit të shtetit dhe praktikës së konsoliduar diplomatike shumëvjeçare, por preferon të keqpërdorë tellallët e vendstrehimeve politike”, thotë Bushati.

Sipas tij, ceremoniali i shtetit, “si pika e vetme e referimit për protokollin e shtetit që siguron mirëkuptimin e bashkëpunimin midis institucioneve”, është fare i qartë.

“Ai aplikohet njësoj për Presidentin, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, Ministrin e Punëve të Jashtme. Ceremoniali nuk lë shteg për interpretime partiake e as për trajtim privat të institucioneve shtetërore”, thotë Bushati.

Ai thekson se, koha e trajtimit të trupit diplomatik mbi bazën e “vendeve të rezervuara” ka perënduar që kur shqiptarët me votën e tyre të lirë e nxorën në opozitë partinë e presidentit.

“Trupi diplomatik nuk është “mërgata e qyqeve” dhe as e “qokatarëve”, por një trupë e një shërbim që punon për interesat e vendit e qytetarëve. Keqardhje për Presidentin në kërkim të konflikteve të vockla, që hesht dhe pranon çimentimin e kulturës së korporatës në drejtësi.

Është mendësia e korporatës, në shpërfillje të plotë të rendit demokratik, që tregojnë me gisht mbi 93% e shqiptarëve sot. Së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët nuk kanë investuar pak në këtë proces jetik për vendin. Keqardhje për “amnezinë presidenciale” ndaj paranojës së partisë së zotit President për reformën në drejtësi, që po e çon këtë të fundit gjithnjë e më shumë drejt instikteve e metodave izolacioniste të Doktorrit, i cili, për hir të interesave të pushtetit dhe familjes së tij, u konfrontua me popullin dhe botën atlantike.

Zoti President, çlirojeni veten nga përdorimi i funksionit publik si pronë private dhe partinë tuaj nga paranoja e “rrezikut euro-amerikan”, çlirojeni veten dhe partinë tuaj nga sindroma e qarramanit, sepse për Shqipërinë çështja më madhore mbetet miratimi i reformës në drejtësi”, ka shtuar Bushati.

Top Channel