Sulmi në Nisë, atentatori ishte radikalizuar me shpejtësi

16/07/2016 00:00

Atentatori i Nisës nuk kishte rënë në sy vitet e fundit për një aderim tek ideologjia e islamizmit radikal, por duket se ishte radikalizuar shumë shpejt.

Kështu ka deklaruar ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve, i cili ndër të tjera ka përgënjeshtruar zërat për një neglizhencë të policisë në lejimin që kamioni i masakrës të depërtonte mes njerëzve.

Ministri ka nënvizuar se, autoblindat e policisë e kishin bërë të pamundur aksesin në shëtitoren Promenade des Anglais.

“Kamioni i drejtuar nga Mohamed Lahouaiej Bouhlel ka kaluar duke hipur në mënyrë të dhunshme mbi trotuar”, ka deklaruar Cazeneuve.

Më herët, mediat franceze kishin shkruar se agjentët e policisë e kishin lejuar kamionin të kalonte pasi shoferi kishte deklaruar se do të shpërndante akullore.

Ndërkohë, e përditshmja “Le Figaro”, duke cituar burime të afërta me hetimin e ngjarjes, shkruan se hetuesit deri tani nuk kanë gjetur asnjë provë konkrete që atentatori të ketë qenë apo t’i ketë betuar besnikëri Shtetit Islamik, siç bëjnë zakonisht terroristët para se të vdesin në atentate vetëvrasëse.

Top Channel