Ahmetaj: Keqardhje për PD, peng i Berishës

16/07/2016 00:00

Ministri Arben Ahmetaj ka reaguar ndaj përgjigjes së PD për kryeministrin Rama lidhur me reformën në drejtësi, duke shprehur keqardhje për këtë qëndrim “destruktiv” të saj.

“Duke parë me keqardhje degradimin e përditshëm të frikës nga drejtësia në një konfrontim të hapur të opozitës me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, e kam të vështirë të pranoj se ky vend po merret peng! Po merret peng bashkë me vendin, edhe perspektiva e zhvillimit ekonomik e social”, thotë Ahmetaj në një postim në rrjetet sociale.

Sipas tij, në këtë mënyrë “po kërcënohet me pasiguri për të ardhmen çdo sipërmarrjë që pret pastrimin e drejtësisë nga gjobëvënësit e biznesit nëpër gjykata dhe çdo iniciativë e huaj për të investuar në Shqipëri!”.

Ahmetaj shpreh habinë e tij se, si ka mundësi që pas 25 vitesh marrëdhënie shpëtimtare partneriteti me SHBA dhe BE, populli sovran të kërcënohet me mbylljen e perspektivës së zhvillimit të ligjshëm, nga një parti që ka dalë hapur kundër SHBA dhe BE?! Ai thotë se, për këtë ka vetëm një përgjigje.

“I njëjti njeri që ka frymëzuar 25 vjet këtë qasje destruktive për të mbrojtur interesat e tij komplet personale, Sali Berisha, po e përdor pengun e tij Lulzim Basha për t’i vënë gjoksin një politike të çmendur si kjo e PD! E pabesueshme që historia përsëritet me dorën e Sali Berishës edhe pasi Sali Berisha nuk përsëritet më…”, deklaron Ahmetaj.

Ministri i Financave akuzon opozitën se është gati ta kthejë Shqipërinë në bunkerin e saj vetëm për të mbrojtur lëkurën. “Ky është një puç pa armë për të përmbysur shpresën e rilindur dhe fuqinë sovrane të popullit që do reformë në drejtësi!”, përfundon deklarata e Ahmetaj.

Top Channel